Lajme

Dodik takon Erdogan-in, bisedojnë për situatën në Bosnje e Hercegovinë


Recep Tayyip Erdogan dhe Millorad Dodik.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, këtë të shtune është takuar me Presidentin ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, si dhe me anëtaren serbe të presidencës trepalëshe (boshnjake, serbe dhe kroate) të BeH-së, Zheljka Cvijanoviç.

Dodik dhe Cvijanoviç, kanë qëndruar të shtunën në Ankara, ku kanë marrë pjesë në kongresin e katërt të jashtëzakonshëm të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim – e udhëhequr nga Erdogan.

Mësohet se gjatë takimit, Erdogan ka falënderuar Cvijanoviç-in dhe Dodik-un për pjesëmarrjen e tyre në kongres, dhe se të njëjtit kanë diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe mes Turqisë dhe Bosnje e Hercegovinës dhe çështjet rajonale.

Recep Tayyip Erdogan dhe Zheljka Cvijanoviç.

Për takimin ka njoftuar edhe Dodik, përmes një postimi në platformën X, ku ka thënë se kreu i Turqisë i ka konfirmuar ardhjen e tij në Banja Luka gjatë vizitës së tij të parë në Bosnje e Hercegovinë.

“Biseduam edhe për situatën politike në BeH”, shkroi.

Ndryshe, Presidenti i Republikës Srpska, Millorad Dodik, është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, derisa shumë zyrtarë evropianë kanë kërkuar që një gjë të tillë ta bëjë edhe BE.

Dodik së fundmi është duke kërcënuar për shkëputjen e RS nga BeH, gjë që është kundër marrëveshjes së Dejtonit (marrëveshja që i dha fund luftës në BeH, më 1995).

Këto kërcënime të presidentit autoritar të RS-së janë kundërshtuar ashpër nga vendet e perëndimit.

Gjithashtu, Dodik është një aleat i ngushtë i Presidentit të Federatës Ruse, Vladimir Putin. Bosnje e Hercegovina, së bashku me Serbinë, janë vendet e pakta në kontinentin e vjetër që nuk i kanë vënë sanksione Moskës pas agresionit në Ukrainë.

Për dallim nga Serbia, BeH nuk është në një linjë me perëndimin në këtë çështje për faktin se e ka bllokuar Republika Srpska, duke përdorur veton e tyre që e kanë në presidencën trilaterale (boshnjake, kroate dhe serbe) të BeH-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore