Lajme

Dodik nënshkruan ligjin për mospublikimin e vendimeve të Schmidt-it


Millorad Dodik

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, ka nënshkruar këtë të premte dekretin për shpalljen e Ligjit për ndryshimin e Ligjit për publikimin e Ligjeve dhe Rregulloreve të tjera të Republikës Srpska, i cili ishte miratuar nga Asambleja Parlamentare e RS-së, në një seancë speciale të mbajtur me 21 qershor 2023.

Përmes miratimit të këtij ligji, vendimet e Përfaqësuesit të Lartë në BeH, Christian Schmidt, nuk do të botohen në gazetën zyrtare të RS-së.

Ky nënshkrim i dekretit nga Dodik vjen vetëm pak ditë pasi që Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, kishte vendosur të shtunën e 1 korrikut lidhur me ligjin për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BeH në territorin e Republikës Srpska, të miratuar nga Asambleja Kombëtare e RS, bazuar në kompetencat e Bonit (të parapara në Marrëveshjen e Dejtonit, më 1995, e cila i dha fund luftës në BeH)

Ai ka vendosur se nuk do të hyjë në fuqi ligji për mospublikimin e vendimeve të Përfaqësueses së Lartë, i miratuar nga Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska, si dhe ligji për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës.

“Vendimi i Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska cenon drejtpërdrejt rendin kushtetues të BeH-së, dhe rrjedhimisht Marrëveshjen e Dejtonit. Institucionet e entitetit nuk kanë të drejtë të devijojnë nga vendimet e institucioneve shtetërore, si dhe të devijojnë nga institucionet e bazuara në Kushtetutën e BeH-së”, theksoi Schmidt, duke komentuar ligjin për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BeH për territorin e RS.

“Pasojat më të mëdha të aventurizmit të tillë të liderëve politikë në RS do t’i vuajnë banorët e RS-së”, potencoi ai.

Po ashtu, Përfaqësuesi i Lartë njoftoi se ka marrë një vendim për ndryshimet në Kodin Penal, i cili sanksionon sulmin ndaj rendit kushtetues në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Më lejoni të bëj një paralajmërim. Të gjitha opsionet janë në tryezë dhe ju të gjithë e dini shumë mirë se çfarë përfshijnë fuqitë e Bonit në dispozicionin tim”, paralajmëroi Schmidt.

Në konferencën për shtyp që ka mbajtur ai nuk ka specifikuar saktësisht se cilat dispozita të Kodit Penal të Bosnjë e Hercegovinës po ndryshon, por mediat boshnjake supozojnë se bëhet fjalë për artikuj që flasin për sulm ndaj rendit kushtetues, për tentativat për të shkëputur me forcë një pjesë të vendit dhe për dobësimin e fuqisë ushtarake të shtetit.

Schmidt anulon ligjet e Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore