Lajme

“Do të jemi të pa kompromis para ligjit”, thotë Abdixhiku pas intervistimit të Martin Berishajt


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas intervistimit të ambasadorit Martin Berishaj, ai ka thënë se “personi” që u mbrojt nga e gjithë Qeveria u intervistua në Prokurorinë Speciale.

Abdixhiku, ka kërkuar përgjegjësi të plotë para ligjit duke thënë se do të jenë të “pa kompromis” në këtë çështje.

“Keqpërdorimi i parasë publike ka një përfundim. Përgjegjësi të plotë para ligjit. Për këtë do të jemi pa kompromis!”.

Përmes një video të publikuar në rrjetin social ‘Facebook’, Abdixhiku ka thënë se i njëjti person kishte fshehur edhe pasurinë që posedonte.

“Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj ishte ndërmjetësues në blerjen e energjisë, për këtë kishte marr plot 1.5 milionë euro para këtu në Prishtinë. Para Komisionit Hetimor në Parlament që kishim bërë ne, kishte fshehur edhe të gjithë pasurinë”.

“Për të gjitha këto vepra kishte marr mbështetjen blanko të Qeverisë. Dhe teksa flasim për mafinë energjetike, sot, jo më larg se një ditë pas diskutimit në Kuvend, Korporata Energjetike ka shtuar edhe dy tenderë sekret”.

Ai tutje tha se kur ua kujtuan pushtetit nënshkrimin e dy tenderëve sekret, në vlerë prej gjysmë milionë euro ata nxorën të dhëna nga e kaluara si mënyrë për t’u arsyetuar.

“Nxori një poster nga numrat e të kaluarës, kështu po na thotë hajna ata, hajna edhe ne. Por hajnat janë të njëjtë”, ka thënë Abdixhiku.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për rreth 8 orë resht të premten është intervistuar nga Prokuroria Speciale në Prishtinë.

Berishaj pas përfundimit të intervistimit është parë nën shoqërimin e avokatit të tij, Tomë Gashi.

Avokati Gashi ka potencuar se Berishaj ka dhënë deklaratën e tij në Prokurorinë Speciale për, siç tha ia, “pretendimet që kanë dal në media”.

Gashi nuk ka dhënë detaje mbi deklaratën e Berishajt në Prokurori me arsyetimin se ka qenë “konfidenciale”.

“Deklarata e tij është konfidenciale . Unë për shkak të kësaj situate si avokat i Martinit nuk mundë të ju them asgjë për përmbajtjen e kësaj deklarate”.

Për intervistimin e Berishajt detaje nuk ka dhënë as Prokuroria Speciale.

Siç kishte mësuar Albanian Post nga burime brenda Prokurorisë, Berishaj është intervistuar për përfshirjen në afera korruptive dhe shpëlarje parash.

Në ndërkohë intervistimi i tij ishte konfirmuar edhe nga Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

Intervistimi i Berishajt kishte nisur rreth orës 8:00 të mëngjesit.

Rasti i Martin Berishaj

Vitin e kaluar mediat sllovene raportuan për një skandal të madh financiar ku ishte i përfshirë edhe ambasadori Berishaj.

Në artikullin e TV Planet thuhej se Martin Berishaj kishte kompani në Mal të Zi me emrin MB Consulting dhe paguhej si konsulent nga kompania e energjisë elektrike GEN-I dega në Beograd.

Më vonë, do pranohej nga vetë Berishaj se është e vërtetë që ka kompani me këtë emër dhe gjithashtu është e vërtetë se u pagua nga GEN-I dega në Beograd.

Berishaj veç marrjes së parave dhe kompanisë në Mal të Zi, ai po dyshohet se një pjesë të parave të marra në Beograd nga GEN-I i ka sjellur edhe në Kosovë.

Ato para të Berishajt dyshohet se financuan fushatat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo.

Në anën tjetër, në Kosovë Berishaj akuzohet nga Prokuroria Themelore për “mos-deklarim të pasurisë apo deklarim të rrejshëm të pasurisë” dhe nga Prokuroria Speciale për “shpëlarje parash”.

Ekziston po ashtu edhe një kallëzim penal për Berishajn i cili dyshohet se ka bërë evazion fiskal dhe nuk ka paguar taksa.

Përkundër këtij skandali me përmasa rajonale, Berishaj ka mbetur i paprekur në pozitën e tij.

Deri më tani, Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, i janë vënë në mbrojtje Berishajt dhe thonë se s’kanë arsye ta shkarkojnë.

Ai vazhdon të jetë përfaqësuesi i Kosovës në shtetin mik të Kroacisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore