Lajme

“Do mbesim pa aleatë me këtë ritëm të tmerrshëm të gabimeve” – PDK e LDK të shqetësuar për raportet e Qeverisë me Perëndimin


Ilustrim: Enver Hoxhaj dhe Lutfi Haziri

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë artikuluar kritika ndaj Qeverisë së Kosovës, meqë i deleguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, betonoi faktin se raportet e Kosovës me komunitetin ndërkombëtarë janë në pikën e tyre më të ulët, pas rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës e cila ndaloi valutën shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës.

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, përmes një postimi në platformën sociale, Facebook, ka potencuar se qëndrimi amerikan është duke u përkeqësuar, derisa edhe aleatët kryesorë evropianë janë në kulm të pakënaqësive me Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Fakti që vendimi për tokat e manastirit shkoi huq, tregon për një amatorizëm dhe një moskoordinim eklatant me aleatët shtetbërës të Republikës së Kosovës”, ka pohuar ai.

Mosbesimi në vlerësimin e ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, është thelluar aq shumë me aleatët, sa që diplomacia kosovare është krejtësisht e izoluar dhe joefektive.

“Nuk po flitet më për njohje dhe anëtarësime në diplomaci me aleatët, po për dinarë e për kadastra! Kjo tregon që politika e jashtme është kthyer në ofiqari për dinarë e për kadastra”.

Nëse ritmi i tmerrshëm i gabimeve të Qeverisë së Kosovës vazhdon të jetë i njëjtë, atëherë sipas Hoxhajt, Kosova do të mbetet pa aleatë.

“Por, Kosova nuk do t’ia kthej shpinën aleatëve, por kësaj qeverie anti-historike”.

Në anën tjetër Lufti Haziri nga LDK, përmes një postimi në platformën sociale, Facebook, ka potencuar se në një vend demokratik, nëse Qeveria nuk bie me dorëheqje, bie në forma të tjera.

“Deklarata e emisarit amerikan Escobar, në përfundim të vizitës, ka zbardhur pikën më të ulët të raporteve që ka sot qeveria e Kosovës e kryeministri i saj, me qeverinë amerikane, partnerët e saj,  NATO-n, me BE-në dhe me fqinjët e saj”.

Haziri ndër të tjera Qeverinë aktuale të Kosovës e ka cilësuar si jo-kompetencë, meqë nuk po planifikon efektet e vendimeve të saj.

Në Kosovë këtë javë për vizitë qëndroi i deleguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Top-diplomati amerikan takoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të enjten në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës në Prishtinë.

Ai deklaroi para gazetarëve, pas takimit, se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), përveçse u shkaktoi vështirësi pjesëtarëve të komunitetit serb, shtoi plasaritje të reja në marrëdhëniet midis administratës amerikane dhe Qeverisë së Kosovës.

Escobari e cilësoi “urgjencë humanitare” rregulloren e ndryshuar të BQK-së, nëpërmjet së cilës përcaktohet euro si valuta e vetme ligjore që lejohet për transaksione me para të gatshme në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb brenda territorit kosovar, megjithëse shtoi se shpreson që Qeveria e Kosovës t’i marrë parasysh propozimet dhe këshillat amerikane.

Ndërsa të premten në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, diplomati amerikan, potencoi se e nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që ta pezullojë vendimin për ndalimin e monedhës serbe në Kosovë, derisa Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeveria e Kosovës të gjejnë një zgjidhje afatgjate, siç do të ishte transferimi elektronik i eurove përmes sistemit të Kosovës.

“Kryeministri tha se ky ishte vendim i një institucioni të pavarur”, tha Escobar.

Escobar, megjithatë, tha se ende shpreson që një zgjidhje të gjendet të martën, kur kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë të takohen në Bruksel, më 19 mars.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore