Lajme

Dividentët vazhdojnë të rriten në mbarë botën


Kompanitë më të mëdha në botë kanë paguar më shumë se 560 miliardë dollarë dividentë në tremujorin e dytë, një rekord për këtë periudhë.

Lajmi u bë i ditur nga gazeta franceze “Le Figaro”.

Midis prillit dhe qershorit, 1 mijë e 200 kompanitë më të mëdha të listuara, të identifikuara nga menaxheri i aktiveve Janus Henderson, rishpërndanë 568.1 miliardë dollarë dividentë për aksionerët e tyre.

Kjo rritje prej 4,9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 “tejkalon” edhe “pritshmëritë optimiste” të kompanisë.

Në Evropë, ku dy të tretat e dividentëve realizohen gjatë këtyre tre muajve për shkak se shumë kompani zgjedhin të paguajnë të gjithë dividentin vjetor menjëherë, rritja ishte 9.7 për qind.

Në Francë, e cila përbënte gati 30 për qind të dividentëve në Evropë, trendi ishte edhe më i theksuar me një rritje prej 13.3 për qind, përpara ekonomive të tjera të mëdha si Gjermania (+9.6 për qind). Italia (+9.4 për qind), por më pak se Spanja (+32.7 për qind).

Janus Henderson vlerëson shumën e dividentëve në Francë në 49.5 miliardë dollarë (rreth 46 miliardë euro), një rekord.

BNP Paribas, Sanofi, Axa, LVMH dhe Engie, dividentët e të cilëve u rritën me dy të tretat, ishin rishpërndarësit kryesorë në tremujorin e dytë dhe janë të gjithë në top 20 në mbarë botën.

Dividentët, të cilët u lejojnë kompanive të rishpërndajnë një pjesë të fitimeve të tyre tek aksionerët e tyre, ndjekin trendin e fitimit të shumëkombësheve kryesore franceze: në vitin 2022, kompanitë CAC 40 gjeneruan më shumë se 142 miliardë euro fitime falë luksit dhe energjisë rekord.

Kompanitë gjithashtu mund të rishpërndajnë para tek aksionerët e tyre në formën e kthimit të aksioneve, një praktikë që po merr vrull në Evropë.

Bankat ishin “motori kryesor” i rritjes së dividentëve, si në Evropë ashtu edhe në nivel global, të ndjekura nga makinat në Evropë, sipas grupit global të menaxhimit të aktiveve Janus Henderson.

Menaxheri pret që “rritja e dividentëve do të vazhdojë. Një nga karakteristikat siguruese të të ardhurave nga dividentët është se ato zakonisht janë shumë më pak të paqëndrueshme sesa fitimet.

“Pagesat e dividentëve ishin më të ulëta se rritja e fitimeve vitin e kaluar dhe për këtë arsye mund ta tejkalojnë atë këtë vit”, tha Ben Lofthouse, kreu i ekipit global të aksioneve Janus Henderson, në një njoftim për shtyp.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore