Shqipëria

Dita Ndërkombëtare e Holokaustit të sintive dhe romëve – si përkujtohet në Shqipëri?


77 vite më parë do të shfarosej pakica e sintive dhe romëve.

Gjithçka do të ndodhte në të ashtuquajturin “Gypsy family camp”, kampi i përqendrimit nazist të Auschwitz-it – ku u vranë 220-500 mijë romë – pjesa më e madhe e të cilëve ishin gra dhe fëmijë.

Por, sipas drejtorit ekzekutiv të organizatës së komunitetit rom në Shqipëri “Roma Versitas Albania”, Emiljano Aliu, ekzistojnë dokumente, të cilat tregojnë se numri i romëve të vrarë është dy-trefish më i lartë në kampin “e famshëm” nazist.

“Sot, 2 gushti”, thotë ai, “është shumë i rëndësishëm që të përkujtohet, pasi para 77 vitesh ndodhi gjenocidi më i madh ndaj romëve, përkrah atyre të hebrenjve”.

Si përkujtohet kjo ditë në Shqipëri?

Në vijim, Aliu tregon se “pothuajse prej disa vitesh organizatat rome me buxhetet e tyre janë munduar të bëjnë ndonjë aktivitet, por kanë qenë gjithmonë të pakta ato me impakt, pasi shumica ka mbetur në platformat e mediave sociale”.

Hera e parë, kur Dita e Holokaustit ndaj kësaj pakice u përkujtua, ishte para katër vitesh.

“I pari aktivitet i këtij lloji’, thotë drejtori, “ishte në vitin 2017, kur disa të rinj e të reja hapën një ekspozitë në pedonalen e Tiranës”.

Ai e kujton aktivitetin e të rinjve si mjaft të veçantë.

“Të rinjtë skenuan një kamp, ku paraqitën fotografitë e kampit Auschwiz-i dhe në dorë vizatuan simbol-kodin e famshëm identifikues të asaj kohe”.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Evropë, me frymë tjetër përkujtimore se ajo në Shqipëri”

I pyetur nga Albanian Post se si kujtohet kjo ditë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë, drejtori i organizatës shprehet se aktivitetet kanë qenë pak më ndryshe se ato në Shqipëri.

“Në vendet e Ballkanit dhe në Evropë është e njëjta situatë për sa u përket aktiviteteve, por pak më ndryshe në kuptimin që organizata ndërkombëtarë rome kanë organizuar aktivitete – duke filluar nga tryezat e rrumbullakëta në Parlamentin Evropian e deri te përkujtimi, duke hedhur lule në lumë”.

Po ashtu, në Evropë organizata të ndryshme “kanë vizituar kampin nga romët e gjithë Evropës si një pelegrinazh”.

Sa e rëndësishme është të kujtohet një ditë e tillë?

Aliu thotë se është e rëndësishme që njerëzit ta kujtojnë këtë ditë, në mënyrë që një e kaluar e tillë të mos përsëritet më.

Përveç vrasjeve naziste, raste të tilla ka pasur dhe në shtete si: Çekia, Hungaria, Italia etj.

Në përfundim, ai ka një mesazh se, “nëse nuk veprohet menjëherë, do të kemi rritje progresive të racizmit dhe rrezik të grupimeve të mëdha anti-rome”.

Me një vendim të Parlamentit Evropian, më 2 gusht të vitit 2015, kjo datë u shpall Dita Ndërkombëtare Përkujtimore e Holokaustit ndaj komunitetit rom evropian.

Kjo datë është përcaktuar jo vetëm si historike, po edhe si shënjuese e një integrimi të komunitetit dhe barazisë.

Sot, në Evropë, numërohen rreth 12 milionë romë. Në gjithë globin ka rreth 20 milionë persona të komunitetit rom.

Soreca solidarizohet me komunitetin rom

Në shenjë përkujtimi të datës, kreu i delegacionit evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, ka postuar në median sociale Twitter, “Jemi të përkushtuar në punën mbi barazinë e komunitetit rom”, shkruhej në postimin e ambasadorit.

Ndërkaq autoritetet gjermane e kanë mohuar për dekada këtë gjenocid të kryer, duke i përjashtuar ata nga kompensimi.

Këtë të fundit, historianët e kanë cilësuar si një traumë më të madhe për të mbijetuarit në kampin “e ferrit”.

Sipas përfaqësuesve të Komisionit të Pavarur për Anticiganizmin, përveç pranimit të kësaj vepre duhet kompensim material jo vetëm në Gjermani por nga të gjitha vendet e Evropës Lindore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore