Shqipëria

Dita Ndërkombëtare e Anti-korrupsionit, SHBA-të të vendosura për luftën në Shqipëri


9 dhjetori ka shënjuar Ditën Ndërkombëtare të Anti-korrupsionit.

Në Shqipëri, palët kanë theksuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë luftë.

Këtë e konfirmon edhe vizita e të dërguarit të Posaçëm të SHBA-ve, Gabriel Escobar, në Tiranë.

Ky i fundit do të diskutojë mbi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë ditë, Ambasada Amerikane në Shqipëri nuk ka harruar të vendosë në qendër të vëmendjes se SHBA-të konfirmojnë përkushtimin për t’i vendosur përpara përgjegjësive aktorët e korruptuar.

Sipas saj, korrupsioni kërcënon të drejtat politike dhe liritë civile në nivel global dhe çon në gërryerjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Ato bëjnë thirrje që të gjitha vendet – përfshirë Shqipërinë – t’u përmbahen angazhimeve të tyre për të luftuar korrupsionin.

“Lufta kundër korrupsionit kërkon më shumë se fjalë, prandaj Shtetet e Bashkuara janë donatori më i madh në botë për mekanizmat kryesorë kundër korrupsionit, për të siguruar që vendet të përmbushin detyrimet e tyre”, shkruhet në deklaratë.

Nuk ka munguar as reagimi i ministrit të Drejtësisë në Shqipëri, Ulsi Manja.

Ai shkruan se lufta ndaj korrupsionit nuk ka përjashtime, nuk ka solidaritet miqësor, fisnor a partiak, ndryshe je bashkëpunëtor.

Sipas ministrit, ata që i lidh me njëri-tjetrin korrupsioni, nuk janë atdhetarë.

Ai ka ravijëzuar se në këtë luftë Shqipëria ka mbështetjen më të fuqishme atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Kemi një nga mbështetjet më të fuqishme SHBA-të, kemi gazetarë të përgatitur dhe të aftë, kemi të rinj që duan me zemër të shnjollosin emrin e Shqipërisë, prandaj pak guxim qytetar për të mos lejuar askënd të abuzojë, apo më mirë të guxojë të abuzojë”, shkruan Manja.

Për të, korrupsioni nuk është i madh apo i vogël, nuk matet me peshë a me shifra, është i njëjtë dhe dëmin e bën po njësoj, “vetëm se do pak kohë që ai peshku i vogël të rritet e të bëhet i madh”.

“Kështu i shërbejmë vendit. Kështu i shërbejmë demokracisë. Kështu i shërbejmë të ardhmes”, ka finalizuar ai deklaratën e tij.

Më 3 dhjetor 2003, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Konventën kundër Korrupsionit, e cila ka hyrë në fuqi në dhjetor të vitit 2005.

Sipas saj, Dita Ndërkombëtare kundër Korrupsionit ka si qëllim të rrisë ndërgjegjësimin, parandalojë dhe luftojë këtë fenomen.

Në të shkruhet se korrupsioni është fenomen social, politik dhe ekonomik që ekziston në sajë të një zinxhiri njerëzish.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore