Shqipëria

Dita kur Noli “fluturoi” dhe Zogu vendosi këmbë në Tiranë


Gjashtë muaj!

Kjo ishte koha e Qeverisë revolucionare të kryesuar nga Fan Noli, e cila u formua më 16 qershor 1924 dhe po në të njëjtin vit, më 24 dhjetor, do të detyrohej të merrte arratinë, nën presionin e ardhjes në kryeqytet të Ahmet Zogut me trupat e tij – një çast historik, i cili mund të përfytyrohet edhe si vendosja e Republikës së parë shqiptare, pavarësisht se do të faktohej në letër një muaj më pas, me Zogun si President.

Ishte pikërisht kjo datë, kur Zogu hyri triumfalisht në Tiranë. Njëkohësisht me këtë akt simbolik të establishmentit të fitores, Noli “merrte fluturimin” nga vendi, duke u zhvendosur nga qyteti në anën jugore të tij.

Intelektuali Noli u sprovua në mënyrë të pasuksesshme kështu në krye të vendit, me një qeverisje shumë të shkurtër.

Zogu, nga ana tjetër, do të trumbetonte me të madhe rikthimin e asaj që ai e quante Qeveri Legale. Më pas, u njoh edhe si “Triumf i Legalitetit”.

Zyrtarisht, Republika u vendos më 31 janar 1925, me Zogun si President.

Por si rrodhi ngjarja, deri në këtë akt final të “kapitullimit” të Nolit?

Më 27 dhjetor 1923, u zhvilluan në Shqipëri zgjedhjet parlamentare. Fitues i tyre ishte grupi qeveritar i Ahmet Zogut.

Mirëpo, sipas opozitës të asaj kohe, zgjedhjet ishin qartësisht të manipuluara.

Për këtë, më 24 shkurt 1924, pikërisht ditën kur Zogu I do të betohej si kryeministër, atij iu krye një atentat, të cilit i shpëtoi.

Ahmet Zogu

Një djalë nga Mati, i quajtur Beqir Valteri, ishte autori. Opozitarët e kishin bindur atë se, nëse arrinte të vriste Zogun, do të mbahej mend si hero i kombit. Asnjëra nga të dyja nuk ndodhi gjithsesi.

Ama një gjë, u arrit. Zogu, vendin e tij në drejtim të Qeverisë, ia la Shefqet Verlacit, beut më të madh të vendit.

Do të duhej të vinte prilli, që situata të acarohej edhe më tej.

Më 20 prill 1924, Avni Rustemi, një prej zërave kryesorë të opozitës, do të mbetej i vrarë në një atentat. Kjo ngjarje zgjoi një zemërim të madh tek opozita.

Avni Rustemi

Varrimi i Rustemit, më 1 maj, u kthye në një manifest të hapur kundër Ahmet Zogut. Aty, Fan Noli, bëri thirrje për gjetjen e vrasësve të Rustemit.

Pikërisht në këtë kuadër, opozitarët u mblodhën në kinemanë e Vlorës, me rreth 300 përfaqësues nga gjithë Shqipëria. Mbledhja dërgoi drejt Qeverisë dy ultimatume: Gjetja e menjëhershme e vrasësit të Avni Rustemit. Dënimi i Ceno Bej Kryeziut.

Ky i fundit ishte kunati i Ahmet Zogut dhe cilësohej nga opozita si agjent serb, i cili i shërbente Beogradit.

Kryeministër

Më 5 maj 1924, shoqëria “Bashkimi” e krijuar nga Avni Rustemi, i bëri thirrje rinisë shqiptare për kryengritje të armatosur kundrejt Qeverisë.

Këtë aksion e mbështetën deputetët e opozitës në Parlament, me pretekstin e një kauze të tyre, se do të pranonin të ishin në Kuvend, vetëm nëse ai mbahej në Vlorë.

Pretendimi ishte se në Tiranë, mercenarë të Ahmet Zogut e kishin bërë të pasigurt për ta kryeqytetin.

Do të vinte ndërkaq data 16 qershor, kur revolucionarët do të shpallnin një Qeveri të re.

Fan Noli dhe Qeveria e tij

Palët patën bisedime të pasuksesshme me njëra-tjetrën, ndaj u vendos që çështja të shkonte në short.

Nga njëra anë ishte Fan Noli dhe nga tjetra, Sami Vrioni. Sulejman Delvina pati qenë po ashtu pjesë e garës, por u tërhoq.

Shortin e fitoi Noli dhe kështu, ai u bë kreu i Qeverisë së Shqipërisë.

Ndër emrat ministrorë, ishin Luigj Gurakuqi, Sulejman Delvina dhe Kasem Qafëzezi.

Më 19 qershor u shpall edhe një program ambicioz i Qeverisë. Aty shpalosej plani për ta bërë një reformë agrare, mirëpo ajo mbeti e parealizueshme. Përpjekje po zhvilloheshin edhe për ta bërë kryesinë e re të njohur në shtetet e tjera në botë.

Por, pavarësisht lobimit të Sulejman Delvinës, si ministër i Jashtëm, kjo nuk u arrit.

Për katër ditë, shteti shqiptar lidh marrëdhënie diplomatike me Bashkimin Sovjetik – i vetmi vend në botë asokohe – duke u cilësuar si një portë hyrëse e komunizmit në Evropë.

Pikërisht kjo nxiti Ahmet Zogun të rikthehej në skenën politike.

Ahmet Zogu

Qeveria sakaq vijonte të provonte të zbatonte programin e saj, por nuk ia del. Ahmet Zogu dënohet në mungesë me vdekje, por sërish kjo gjë rezulton e pamundur në fund.

Ndaj, në dhjetor, ky i fundit nis veprimet e forcave të tija ushtarake në Dibër. Shtete të mëdha, si Anglia apo Franca, lajmërohen për këto veprime dhe i mbështesin unanimisht.

Me ndihmën e trupave të tij dhe rreth 50 ish-ushtarë të Ushtrisë së Bardhë ruse, ai rrëzon Nolin nga Kryeministria.

Kështu, më 24 dhjetor, Zogu zbarkoi në Tiranë, duke i hapur rrugën vetes për t’u rifutur historinë dhe duke shpallur më pas veten President të Republikës së Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore