Lajme

“Dita e Tokës” – fytyrat publike rigjallërojnë lagjen Arbëria


Dita ndërkombëtare e Tokës, u shënua edhe brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Për nder të kësaj dite, organizata “Ta pastrojmë Kosovën (Let’s do it Kosovo)” e cila është pjesë e rrjetit global “Let’s do it World”, me funksionim në 175 shtete, në bashkëpunim me Kompaninë Regjionale “Pastrimi”, kanë realizuar një aksion për pastrimin e rrugës “Vicianum” në lagjen Arbëria, të Prishtinës.

Fotografi e shkrepur gjatë aksionit të organizatës “Ta pastrojmë Kosovën” & KRM, në lagjen Arbëria, Prishtinë.

Më tepër se 200 thasë me mbeturina u larguan së bashku me një sasi të konsiderueshme të mbetjeve të vëllimshme, të cilat gjendeshin në vende jo adekuate, duke ndikuar në ndotjen e mjedisit dhe ajrit në përgjithësi.

Për Albanian Post, Themeluesi dhe Drejtori Ekzekutiv i Organizatës “Ta pastrojmë Kosovën”, Luan Hasanaj, ka treguar se ideja ishte e kësaj organizate, dhe edhe këtë vit kjo fushatë gjeti mbështetje nga artistët dhe figurat publike të vendit.

Luan Hasanaj – Themelues dhe Drejtor Ekzekutiv i Organizatës “Ta pastrojmë Kosovën”.

“Ideja ishte e jona. Gjatë aktiviteteve tona kemi pasur bashkëpunime dhe më herët me artistë dhe figura tjera publike, prandaj ishim të bindur dhe plotësisht që përkrahja nga ana e komunitetit artistik, nuk do të mungonte as këtë vit”, tha Hasanaj.

Fushata e zhvilluar përmes një posteri të dizajnuar me moton “Artistët për Mjedisin”, ka ftuar njerëzit, e posaçërisht artistët, të japin kontributin e tyre për një mjedis më të pastër dhe më cilësor.

Posteri i fushatës – “Artistët për Mjedisin”.

“Fillimisht është bërë një fushatë disa ditore, dhe artistë të shumtë e kanë shpërndarë thirrjen tonë. Kemi dizajnuar një poster përmes të cilit kemi bërë thirrje për kujdes ndaj mjedisit, e në veçanti me anë të kësaj iu kemi drejtuar artistëve të vendit”, tha ai.

Ftesë për ndjekësit e tyre në rrjetet sociale, nën moton “Artistët për Mjedisin”, kanë bërë artistë të ndryshëm, si; këngëtarët, Ermal Fejzullahu e Robert Berisha, rep artisti, Kastro, ikona e komedisë, Sevdai Radogoshi, e shumë figura të tjera.

Ndërsa, edhe në aksionin e organizuar për pastrim të lagjes Arbëria, mungesë nuk shënoi prania e personaliteteve publike. Hasanaj, zbulon disa nga emrat pjesëmarrës.

Rep artisti, Genc Prelvukaj, pjesëmarrës në aksionin për pastrim.

“Një falënderim për të gjithë ata që e përkrahën idenë tonë, duke e shprehur në forma të ndryshme, si në thirrje publike e po ashtu edhe në pjesëmarrje. As sot nuk munguan figurat publike të cilat me kënaqësi iu bashkëngjiten aksionit tonë. Ryva Kajtazi, Shpetim Desku, Genc Prelvukaj, Diellza Kolgecu, Afërdita Paqarada, Sevdai Radogoshi, Arta Mehmedi e Blerta Deliu, ishin disa nga ta”, shtoi ai.

Sipas Hasanaj, roli i artistëve në shoqëri është i rëndësishëm, dhe ata – “Janë katalizatorë të proceseve shoqërorë, ambasadorë të vendit, shprehje e frymës së popullit, dhe një super promotor marketingu”.

Aktori i komedisë, Sevdai Radogoshi, gjatë aksionit për pastrim të lagjes Arbëria.

“Çdo shoqëri ka nevojë për figura publike dhe çdo figure publike mund t’i kontribuoje shoqërisë. Pjesëmarrja e tyre, ishte shembull dhe mesazh i mirë e goxha inkurajues, sepse të gjithë ishin të gatshëm të vazhdojnë në dhënien e kontributit të tyre për të ardhmen”, thotë për Albanian Post, Luan Hasanaj.

Kryeqyteti i Kosovës njihet për madhësinë e tij gjeografike në krahasim me qytetet e tjera të vendit, Hasanaj shpjegon pse pikërisht lagjja Arbëria ishte e përzgjedhura për mbajtjen e këtij aktiviteti.

“Kemi zgjedhur lagjen Arbëria, për faktin se është ndër lagjet më vjetra në Prishtinë, dhe ka një frekuentim të dendur, sidomos nga ndërkombëtarët. Prandaj, një mjedis i ndotur aty pari, nuk jep mesazh të mirë për imazhin e vendit tonë”, tha ai.

Organizata “Ta pastrojmë Kosovën”, do të vazhdojë në realizimin e projekteve të parapara.

Aksioni i ardhshëm do të zhvillohet me datë 24 maj, i cili organizim do të gjejë në tërë Republikën e Kosovës.

Ndërsa, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës, do të vazhdojë promovimi i fushatës “T’i japim vendit ngjyra”, i cili ka për qëllim mbjelljen e 1.8 milionë drunjëve për periudhë 10 vjeçare.

Ndryshe, “Dita e Tokës” është një ngjarje vjetore e cila shënohet për të demonstruar mbështetje për mbrojtjen e mjedisit, dhe përfshin një gamë të gjerë ngjarjesh të koordinuara globalisht nga EARTHDAY.ORG duke përfshirë 1 miliard njerëz në më shumë se 193 vende.

Për herë të parë kjo ditë në mënyrë zyrtare është shënuar me 22 prill të vitit 1970.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore