Kosova

Dita e gjashtë e protestave në Veri


Protesta në Veri

Protestat e serbëve në Veri të Kosovës të cilët po kundërshtojnë ushtrimin e detyrës së kryetarëve të sapozgjedhur nga objektet komunale ka hyrë në ditën e gjashtë.

Qindra protestues serbë janë para këtë të premte në orët e hershme të mëngjesit të së premtes në Komunën e Zveçanit.

Ndërsa pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, kanë marrë pozicionet e tyre në këtë komunë.

Protestuesve në Zveçan u janë bashkuar edhe krerët e Listës Serbe.

Protestuesit kanë nxjerrë disa pankarta me mbishkrime si: “Nuk do të na dëboni nga shtëpitë tona”, “Duam paqe e jo lotsjellës dhe shok-bomba” e “Ne nuk jemi kriminelë, vetëm duam lirinë tonë”.

Serbët janë grumbulluar edhe në Komunën e Leposaviqit.

Ndryshe Kosova është vënë nën presion diplomatik për të shtensionuar situatën.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, menjëherë pas takimit joformal 10-minutësh ndërmjet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe homologut të saj serb, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se Franca dhe Gjermania, u kanë kërkuar autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë që të mundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe.

Ndërsa Borrell, i cili ishte pjesë e këtij takimi, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Twitter”, do të tregonte tri kërkesat që ia kanë paraqitur të enjten Franca dhe Gjermania presidentes Osmani dhe të cilat, autoritetet kosovare duhet t’i përmbushin menjëherë ngase në të kundërtën “do të ketë pasoja serioze” për shtetin më të ri në Evropë.

“Zgjedhje të reja në veri menjëherë, garantimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës dhe nisja e punës për themelimin e Asocicionit të Komunave me Shumicë Serbe. Dështimi për të bërë këtë, do të ketë pasoja serioze për marrëdhëniet tona”, shkroi Borrell.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore