Euro 2020

Dita e dytë e raundit të 16-ve, cilat do të jenë dy skuadrat që kualifikohen?


Dita e dytë e raundit të 16-ve në Euro 2020 do të sjellë dy ndeshje, Holanda do të përballet me Çekinë, ndërsa Belgjika me Portugalinë.

Ndeshja hapëse e ditës së diel në Euro 2020 do të jetë ajo midis Holandës dhe Çekisë. Ndeshja do të luhet në Hungari në “Puskas Arena” duke filluar nga ora 18:00. Sergei Karasev-i do të jetë gjyqtari kryesor i takimit.

Holanda mbërriti në këtë fazë pasi doli e para në Grupin C, me nëntë pikë të plota. Ndërsa, Çekia doli e treta në Grupin D, me katër pikë në tre ndeshje.

Dy skuadrat më parë janë ndeshur 11 herë. Holanda numëron tre fitore, tre ndeshje kanë përfunduar në barazim dhe pesë fitore janë në favor të Çekisë. Golat e shënuar nga holandezët në portën e çekëve janë 14, ndërsa kanë pësuar nga këta të fundit 16.

Skuadra që do të kalojë raundin nga ky çift do të përballet me Danimarkën. Danezët mposhtën Uellsin 4-0 dhe u bënë skuadra e parë që kaluan në çerekfinalet e Euro 2020.

Përballja e fundit e të dielës dhe ajo më e forta e ditës do të luhet duke filluar nga ora 21:00. Në stadiumin “La Cartuja” të Seviljas do të përballet Belgjika me Portugalinë, kampionen në fuqi të Kampionatit Evropian. Ndeshja do të gjykohet nga arbitri i njohur gjerman, Felix Brych.

Në këtë raund, Belgjika mbërriti pasi doli e para në Grupin B, me nëntë pikë të plota. Portugalia mbërriti si një nga vendet e treta më të mira, pasi doli në vendin e tretë në Grupin F, me katër pikë në tre ndeshje.

Në përballjet mes tyre, dy skuadrat janë pothuajse në barazpeshë. Pesë fitore ka arritur Belgjika, shtatë ndeshje kanë përfunduar në barazim dhe gjashtë fitore janë në favor të portugezëve. Belgët kanë shënuar 22 gola dhe kanë pësuar 21 nga portugezët.

Fituesi i përballjes Belgjikë – Portugali do të ndeshet me Italinë, e cila mposhti Austrinë me rezultatin 2-1 pas 120-të minutave lojë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore