Lajme

Diplomati Arifi për propozimin franko-gjerman të publikuar nga AP: Konsolidon dhe integron Kosovën në strukturat euro-atlantike


Avni Arifi

Ndonëse propozimi franko-gjerman, i publikuar së fundmi nga Albanian Post, ku parashihet se Serbia do të pajtohet që ta respektojë ekzistencën e Kosovës, derisa Kosova do ta pranojë se do të zbatojë të gjitha marrëveshjet paraprake, përfshirë edhe Asociacionin, nuk parasheh njohjen reciproke, për ish-ambasadorin e Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi, i njëjti konsolidon dhe integron Kosovën në strukturat Euro-Atlantike.

Sipas Arifit, as në Rambuje e as në Vjenë dokumentet e prezantuara Kosovës nuk kanë qenë krejt ato çfarë ajo ka dëshiruar, por gjithsesi ato kanë prodhuar fitore të plotë politike për vendin.

“Ky dokument ndonëse nuk garanton njohje reciproke është vazhdimësi e pozicionit të ShBA-së dhe BE-së për një Kosovë shtet të konsoliduar dhe integruar në strukturat Atlantike duke respektuar njëkohësisht të drejtat e minoritetit serb”, ka thënë Arifi për Albanian Post.

“Është pozicion i qartësuar se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe si i tillë nuk ndikon në funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Përderisa mbetet ky pozicion Asociacioni duhet të formohet sepse tendenca për ikje nga obligimet ndërkombëtare çdokujt dhe gjithherë ka dështuar”, ka shtuar ai.

“Besoj se njohja e Kosovës nga 5 shtetet dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO si rrjedhojë do të hapte një tjetër kapitull të fuqizimit dhe konsolidimit të Kosovës”.

Ndryshe Albanian Post më 12 nëntor ka publikuar në tërësi, ku të përfshirë janë 9 nene të propozimit franko-gjerman.

Propozimi apo marrëveshja e publikuar në Albanian Post e ka emërimin “Marrëveshja Bazë për statusin e raporteve”.

Sipas këtij drafti nëse Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshjen e bazuar në propozimin franko-gjerman, atëherë Serbia do të pajtohet që ta respektojë ekzistencën e Kosovës dhe ta trajtojë si një realitet të ndarë juridik, derisa Kosova duhet të pranojë se do të zbatojë të gjitha marrëveshjet paraprake, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Marrëdhëniet diplomatike, një nga pikat kritike të “marrëveshjes pa njohje eksplicite” – disa modele si zgjidhje

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore