Lajme

Dioqeza Rashkë-Prizren: Dëmet në Manastir s’kanë prekur pjesën historike, do t’i rregullojmë vetë


Manastiri i Banjskës.

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit i kanë reaguar sërish ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, për punën e renovimit të Manastrit të Banjskës pas sulmit të 24 shtatorit duke thënë se dëmet në Manastir s’kanë prekur pjesën historike, prandaj do t’i rregullojnë ato vetë.

Përmes një komunikate për media nga dioqeza është thënë se janë siguruar mjetet e nevojshme për të nisur renovimin.

“Ne e gjykojmë të nevojshme për të informuar opinionin se Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit tashmë ka siguruar mjetet e nevojshme për këto riparime, falë një donacioni nga Fondacioni i Manastirit Hilandar dhe se së shpejti do të riparohen dëmet”, thuhet në reagimin e tyre.

Ky institucion fetar i ka quajtur “të padrejta”, deklaratat që kinse kanë neglizhuar ruajtjen e trashigimisë.

“Është krejtësisht e papërgjegjshme të akuzohet Kisha, e cila ka bërë përpjekje të pafundme për të ruajtur trashëgiminë e saj nga shkatërrimi dhe përdhosja në Kosovë, gjatë 24 viteve të fundit, për gjoja neglizhencë ndaj asaj që përbën themelin e identitetit dhe të mbijetesës sonë në këtë kohë diskriminimi etnik”.

Më 6 tetor, edhe pse kishin kundërshtuar që institucionet e Kosovës ta restaurojnë, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, kishte njoftuar se i ka dërguar shkresë zyrtare Dioqezës Rashkë-Prizren, për sanimin e dëmeve të Manastirit të Banjës, të shkaktuara nga sulmi terrorist i 24 shtatorit.

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore