Lajme

Dioqeza e Rashkës: Policia gjeti armatim në oborr, pelegrinët u transportuan nga Policia dhe EULEX-i deri në Jarinje


Peshkopi Teodosije ka vizituar Manastirit e Banjskës në Zveçan ku të hënën kanë qëndruar disa zyrtarë policorë të Kosovës dhe pjesëtarë të EULEX-it të cilët kanë gjetur disa armë të zjarrit në oborr ku të dielën qëndruan rreth 30 terroristë të armatosur rëndë të cilët gjuajtën në drejtim të policëve.

“Në dy vende në oborrin e manastirit janë gjetur armë zjarri dhe pjesë të pajisjeve të personave të armatosur. Ekspertët e mjekësisë ligjore morën gjurmët e gishtërinjve dhe intervistuan besimtarët, të cilët më pas, të shoqëruar nga policia dhe EULEX-i, udhëtuan për në shtëpitë e tyre përmes vendkalimit Jarinje”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Igumeni Danilo, i ka treguar EULEX-it dhe policisë të gjitha ambientet e rezidencës, nga ku shihet se murgjit dhe besimtarët në asnjë mënyrë nuk kanë marrë pjesë në ngjarjen e së dielës.

“Kisha jonë mbetet e vendosur dhe e angazhuar në zgjidhjen e të gjitha problemeve në Kosovë përmes mjeteve paqësore dhe dialogut, duke dënuar të gjitha format e kërcënimeve dhe dhunës”.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi terrorist nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Derisa pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist dyshohet se janë arratisur duke kaluar në territorin e Serbisë.

Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media ku janë prezantuar armët, uniformat dhe pajisjet logjistike të konfiskuara nga Policia e Kosovës në Veri, ka thënë se janë gjetur edhe dokumente të Milan Radojiçiç-it, i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas ministrit, kjo dëshmon lidhjen apo pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Radojiçiç-it, në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës të dielën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore