Lajme

Dilema e BE-së për emigrantët e vdekur në kufirin mes Polonisë dhe Bjellorusisë


Vdekjet e emigrantëve në pyjet kufitare midis Polonisë dhe Bjellorusisë janë kthyer në shqetësuese për Komisionin Evropian, mirëpo mbrojtja e kufirit të jashtëm të BE-së kundër migrimit të parregullt merr përparësi.

E përditshmja, “The Brussels Times”, tregon se prej raportimeve mediatike numërohen katër emigrantë të vdekur në pyje, pasi ishin ngujuar në harresë në rajonin kufitar.

Nisur nga këto, agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR dhe agjencia e migracionit IOM, kanë drejtuar thirrje për një hetim të menjëhershëm mbi vdekjet e tyre dhe shkaqeve ende të papërcaktuara.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në një vendim të jashtëzakonshëm, vendosi më 25 gusht që autoritetet polake dhe letoneze t’u sigurojnë njerëzve të bllokuar në kufijtë e tyre me Bjellorusinë ushqim, ujë, veshje, kujdes mjekësor të përshtatshëm dhe nëse është e mundur, strehim të përkohshëm.

Sipas “The Brussels Times”, masat e ndërmarra u zbatuan për një periudhë prej tre javësh deri më datë 15 shtator.

Ndërsa, lidhur me vendimin, ai u bazua në një rregull që i lejon Gjykatës, në raste të jashtëzakonshme, të vendosë për masat e përkohshme kur aplikantët përballen me një rrezik të afërt të dëmit të pariparueshëm.

Atëherë, një zëdhënës i Komisionit ka thënë se Komisioni kundërshton me vendosmëri përpjekjet e regjimit Bjellorus për të manipuluar emigrantët dhe ushtruar presion mbi kufijtë e jashtëm të BE-së.

Gjithashtu ai ka shtuar se Komisioni po ndjek situatën dhe është në kontakt me autoritetet polake.

Incidenti tragjik në kufi zgjoi pyetje në konferencat e përditshme për shtyp të Komisionit. Ai ka veçuar se menaxhimi dhe mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE-së duhet të kryhet duke respektuar të drejtat e njeriut.

Nga ana tjetër, Komisioni nuk ka pranuar të trajtojë çështjen nëse autoritetet polake kishin shkelur ligjin ndërkombëtar.

Thënë kjo, vendimet e Gjykatës janë detyruese për të gjithë nënshkruesit e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Të gjitha vendet anëtare të BE-së janë palë në Konventë siç janë vendet kandidate për BE.

“Ne jemi duke pranuar se Polonia po përballet me një situatë të vështirë, por nuk jemi në gjendje të komentojmë më shumë për atë që ndodhi”, ka treguar një zëdhënës.

Megjithatë, komisionerja përgjegjëse, Ylva Johansson, pritet që së shpejti të mbërrijë në Poloni dhe të vizitojë rajonin kufitar në vend.

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, është pyetur nëse Komisioni posedon ndonjë informacion në lidhje me zbatimin e vendimit të përkohshëm të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ai ka vërtetuar se “në orët e fundit, u bë një zbulim shumë tragjik – tre persona që kaluan kufirin polak, kryesisht për shkak të hipotermisë dhe lodhjes, vdiqën. Ne nuk e dimë identitetin e saktë të njerëzve që vdiqën në territorin e Republikës së Polonisë, por ne do të bëjmë çmos për t’i identifikuar ata”.

Gjithashtu ka theksuar se “ne duam që të gjithë të trajtohen me dinjitet”.

Megjithatë, kryeministri polak nuk e ka përmendur vendimin e gjykatës dhe nëse ai ishte aplikuar, por ka veçuar se ishte shpëtuar jeta e tetë njerëzve të bllokuar në ujërat e pasme të lumit Supraśl.

“Për njerëzit që kanë hyrë ilegalisht në territorin e Republikës së Polonisë dhe për të cilët ne ofrojmë ndihmë në spitale, duke siguruar shëndetin dhe jetën e tyre, ne do të bëjmë gjithçka të mundshme për të siguruar që këta njerëz të mbijetojnë”, ka thënë ai.

Paçka këtyre, faji kryesor është hedhur mbi Bjellorusinë ose atë që Komisioni po e quan instrumentalizim të problemit të emigrantëve nga regjimi në Minsk.

“Ne gjithashtu po merremi me situata që padyshim nënkuptojnë veprimin e organizuar të regjimit Lukashenka, i cili do të çojë në destabilizim në kufirin Poloni-Bjellorusi dhe BE në mënyrën më masive të mundshme”, ka vijuar Morawiecki.

Në muajin shtator, Polonia ka identifikuar afro katër mijë përpjekje për të kaluar kufirin ilegalisht. Kjo, një shifër shumë më e lartë se në gusht.

“Ne kemi regjistrime nga kamerat dhe dronët tanë dhe jemi absolutisht të sigurt se njerëzit nga territori i Bjellorusisë transportohen në postet e rojeve kufitare Bjelloruse. Atje ata udhëzohen dhe transportohen në kufirin me Poloninë”, ka siguruar ai.

“The Brussels Times” shkruan se Komisioni nuk ka pranuar të trajtojë interesin konfliktual të mbrojtjes së kufirit kundër presionit të migrimit të ushtruar nga Bjellorusia dhe të drejtën e emigrantëve për të aplikuar për azil dhe mbrojtje ndërkombëtare në BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore