Lajme

Dialogu Kosovë-Serbi: “Një hap para, tre hapa prapa”


Dialogu Kosovë-Serbi.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), përmes një konferencë për media, lidhur me dialogun Kosovë-Serbi ka shpalosur një analizë të shkurtër lidhur me këtë çështje.

“Dialogu Kosovë-Serbi: një hap para, tre hapa mbrapa”, kështu është quajtur ky proces nga KDI-ja.

Violeta Haxholli, ka bërë të ditur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pasur vetëm një raportim me vetiniciativë për çështjen e dialogut.

“Në këtë drejtim ne si KDI konsiderojmë se Qeveria e Kosovës duhet të hartojë një raport gjithëpërfshirës. Raporti i fundit është publikuar në qershor të vitit të kaluar. Duhet të ketë edhe një konsensus politik, duhet të ketë një bashkëpunim më të madh ndërpartiak”, deklaroi ajo.

Sipas saj, dialogu Kosovë-Serbi po karakterizohet me diskutim të temave, për të cilat janë arritur marrëveshje në të kaluarën.

Takimi trepalësh në Bruksel.

“Deri më tani është arritur vetëm marrëveshja për energjinë, por as kjo nuk po zbatohet. Çështja më urgjente është se palët duhet t’i kthehen diskutimeve për elementet lidhur me marrëveshjen finale. Si duket ka hezitim nga pala serbe që dialogu të shkoj drejt marrëveshjes finale”.

Gjithashtu, Haxholli konsideron se duhet të ketë dialog të brendshëm me serbët në Kosovë.

“Ky vakumi që po ekziston po mbushet me informacione të pasakta nga pala serbe dhe po rritet ndikimi i Serbisë tek ky komunitet. Kampanjat duhet të shkojnë përtej postimeve në Facebook të Qeverisë së Kosovës. Element të rëndësishëm e konsideroj edhe transparencën. Nga takimi i fundit, nga Qeveria e Kosovës nuk kemi pasur informacione se çfarë është diskutuar nga ky takim”.

Të enjten e 19 gushtit, janë dashur dy raunde takimesh trepalëshe (Kosovë, Serbi, BE) takime veç veç (Kryeministri Albin Kurti dhe Josep Borell e Miroslav Lajcak) dhe (Aleksandër Vuçiç, Josep Borell e Miroslav Lajçak), dhe pesë orë bisedime në një dhomë të Komisionit Evropian, por rezultati ka qenë, pajtimi për një tjetër takim, i cili, megjithatë nuk dihet se kur do të ndodhë.

Takimi i Kurtit me Vuçiç e ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian ishte i treti (përfshirë dhe atë jo formal në Berlin).

Por, palët, siç u kumtua nga Borell, nuk e arritën mesin as pas 300 minutash bisedë pasi pozicionet fillestare ishin skajshmërisht të kundërta.

Dialogu Kosovë-Serbi ka filluar para 11 vite.

Deri më tani janë arritur më shumë se 20 marrëveshje në fushat si ajo e energjisë, telekomunikacionit, drejtësisë, doganave, lirisë së lëvizjes, por jo të gjitha janë zbatuar.

Kosova insiston që dialogu për normalizim të marrëdhënieve të përmbyllet me njohje reciproke në mes të të dyja vendeve ndërkaq Serbia, në anën tjetër kërkon zgjidhje kompromisi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore