Sport

Di Francesco, trajneri i parë që shkarkohet në Serie A


Eusebio di Francesco është bërë trajneri i parë që është shkarkuar nga detyra për këtë sezon në Serie A.

Ish-trajneri i Sassuolo-s, Roma-s, Sampdoria-s dhe Cagliari-t në tre ndeshje zyrtare në krye të Hellas Verona-s nuk ia ka dal të marrë asnjë pikë.

Ndeshja e fundit, e humbur 1-0 përballë Bologna-s, të hënën në mbrëmje, vendosi edhe fatin përfundimtar të Di Francesco-s.

Tekniku që në vitin 2018 arriti deri në gjysmëfinalen e Champions League me Roma-n, po kalon moment tepër të veshtirë. Që nga ajo kohë, ai nuk ka mundur të lërë gjurmë pozitive në futboll.

Hellas ka njoftuar ndërprerjen e bashkëpunimit me Di Francesco-n nëpërmjet një deklarate ku shkruan “Hellas Verona FC njofton se ka liruar Eusebio di Francesco nga pozita e trajnerit të ekipit të parë”.

“Klubi verdheblu falenderon Di Francesco-n dhe stafin e tij, Francesco Tomei, Stefano Romano, Giancarlo Marini dhe Franco Giammartin për punën e bërë deri më tani”.

Vendin e Di Francesco-s pritet ta marri ish-futbollisti i Juventus-it dhe ndihmësi i Andrea Pirlo-s sezonin e kaluar, Igor Tudor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore