Shqipëria

Dhuna ndaj aktivistes transgjinore, reagon Aleanca LGBTI dhe Ambasada Gjermane


Pas dhunimit të një aktivisteje transgjinore të komunitetit LGBTI+ të mërkurën e 16 qershorit, ka ardhur reagimi i Aleancës LGBTI dhe Ambasadës Gjermane në Shqipëri në rrjete sociale.

Aleanca sqaron më imtësisht rindërtimin e ngjarjes dhe kërkon reagimin e autoriteteve për ndalimin e 10 personave të përfshirë në incident.

Deklarata e Aleancës

“Në sfondin e deklaratave të rënda homofobike të ditëve të fundit që nxisin dhunë, urrejtje dhe diskriminim, një anëtare e komunitetit Transgjinor në vendin tonë është sulmuar sot – referuar ditës së djeshme – (16.06.2021) verbalisht e fizikisht në rrugët e Tiranës”, shkruhet në deklaratën e tyre.

Në deklaratë theksohet se dhuna e ushtruar ndaj L. 21-vjeçe, është e dokumentuar me foto.

Aleanca akuzon që dhuna është e nxitur nga të ashtuquajturit “profesionistë” nëpër studio televizive dhe në rrjetet sociale.

“Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë sulm, ne kërkojmë urgjentisht që rasti të zbardhet nga autoritetet dhe të vihen para drejtësise autorët e dhunës”, nënvizon deklarata e tyre.

Më tej, ato kërkojë gjithashtu që të ndalet menjëherë gjuha që nxit dhunë ndaj komunitetit LGBT, dhe një reagim të menjëhershëm të institucioneve përgjegjëse.

“Çdo anëtar i komunitetit LGBTI+ ka të drejtë të jetë i lirë në rrugë, shtëpi e në hapësirat publike, ndaj kjo është një ngjarje e trishtueshme dhe alarmante, që kërkon një përgjigje të shpejtë dhe të duhur në respekt të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, dhe në përmbushje të angazhimeve që institucionet kanë marrë përsipër”, përmbyllet deklarata e tyre.

Reagimi i Ambasadës Gjermane

Lidhur me incidentin, ka ardhur dhe reagimi i Ambasadës Gjermane në Shqipëri, të enjten e 17 qershorit.

“Me tronditje mësuam për sulmin brutal ndaj një anëtari të komunitetit të LGBTIQ mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Sulmi, i cili mesa duket lidhet me identitetin seksual të viktimës, duhet të zbardhet plotësisht dhe menjëherë nga policia dhe organet e drejtësisë”, shkruhet në deklaratën e tyre.

Sakaq, ambasada kundërshton me vendosmëri çdo formë të dhunës verbale dhe fizike, në përgjithësi dhe e drejtuar kjo ndaj pakicave dhe anëtarëve të lëvizjes LGBTIQ.

“Ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë për barazinë dhe kundër diskriminimit”, nënvizon ambasada.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore