Lajme

Dhjetëra nxënëse në Iran dërgohen në spital pas helmimit


Në Iran, dhjetëra nxënëse u shtruan në spital pas një helmimi misterioz, më të fundit në një varg sulmesh të dyshuara.

Qindra raste të shqetësimit të frymëmarrjes janë raportuar në tre muajt e fundit në mesin e nxënëseve iraniane, kryesisht në qytetin Qom, në jug të Teheranit, me disa që kanë nevojë për trajtim spitalor.

Një zyrtar qeveritar ka thënë se sulmet besohej të ishin një përpjekje e qëllimshme për të detyruar mbylljen e shkollave të vajzave.

“Sot në mesditë, një numër nxënësish u helmuan në shkollën e vajzave Khayyam në qytetin Pardis, provincën e Teheranit”, ka njoftuar agjencia e lajmeve “Tasnim”.

Referuar agjencisë, 35 nxënëse ishin transferuar në spital deri më tani, duke i shtuar qindra rasteve të helmimit që nga nëntori në të paktën dy qytete të tjera.

Helmimet vijnë më shumë se pesë muaj pas protestave që u përhapën në të gjithë Iranin për vdekjen në paraburgim të 22-vjeçares Mahsa Amini pas arrestimit të saj për një shkelje të dyshuar të kodit të rreptë të veshjes për gratë.

Të dielën, nxënëset e një shkolle vajzash në Borujerd u dërguan me urgjencë në spital pas një incidenti të ngjashëm, i katërti në qytetin perëndimor brenda javës së kaluar.

Zëvendësministri i Shëndetësisë i Iranit, Younes Panahi, ka thënë se disa njerëz ishin helmuar në një shkollë vajzash në Qom me qëllim mbylljen e arsimit për vajzat.

“Pas helmimit të disa nxënëseve në shkollat e Kumit, u zbulua se disa njerëz donin që të gjitha shkollat, veçanërisht shkollat e vajzave, të mbylleshin”, ka thënë ai.

Ai nuk ka dhënë më shumë detaje. Deri më tani nuk ka të arrestuar lidhur me helmimet.

Aktivistët i kanë krahasuar ata që janë përgjegjës për sulmet e dyshuara me talebanët në Afganistan dhe Boko Haram në Sahel, të cilët kundërshtojnë arsimimin e vajzave.

Javën e kaluar, prokurori i përgjithshëm i Iranit, Mohammad Jafar Montazeri, urdhëroi një hetim gjyqësor për incidentet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore