Shqipëria

Devijohet sërish trafiku në Tiranë gjatë të dielës


Autoriteti Rrugor Shqiptar, ka dalë në një njoftim të radhës mbi devijimin e trafikut gjatë ditës së dielë në Tiranë, ku zona e përcaktuar është ajo Lotit të tretë në Unazën e Madhe, për shkak të punimeve që po kryhen aty.

Devijimi do të jetë nga disa krahë, ku mjetet që vijnë nga Sheshi Shqiponja në drejtim të zonës së njohur si “pallati me shigjeta”, pas daljes nga nënkalimi i “Ozone”, do të devijojnë majtas duke përdorur karrexhatën e re të rrugës kryesore të Lot-it 3, duke shmangur kështu aksin kryesor deri pranë mbikalimit.

Lëvizja pas këtij segmenti, do të vijojë në drejtimin ekzistues.

Sa i përket aksit të djathtë të rrugës në fjalë, ai do të mbetet i palëvizur.

Një devijim do të ketë edhe për mjetet, të cilat vijnë nga mbikalimi i “pallatit me shigjeta” në në drejtim të rrugës “Teodor Keko”.

Në këtë segment, trafiku do të devijojnë djathtas duke përdorur karrexhatën e re të rrugës dytësore të Lotit 3, duke shmangur kështu aksin kryesor deri pranë nënkalimit të O-Zone, e duke vazhduar më pas sipas orientimit ekzistues në Lotin 2.

Për automjetet që do të kenë destinacion Yzberishtin, Bulevardin “Migjeni”, “Kombinatin” nuk do të ketë ndryshime në qarkullim.

Mbi këtë devijim, institucioni rrugor ka kërkuar edhe mirëkuptimin e qytetarëve, duke qenë se ndërhyrjet në devijimin e trafikut kanë qenë të shpeshta, për faktin se ende po punohet mbi përfundimin e plotë të projektit të Unazës së Madhe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore