Lajme

Dështon për herë të tretë themelimi i Komisionit për skandalet e rezervave shtetërore: Deputetët e VV-së sërish refuzojnë ta votojnë


Foto: Albanian Post.

Për të tretën herë ka dështuar mbledhja e komisionit hetimor për skandalet e rezervave shtetërore, kjo pasi që Lëvizja Vetëvendosje është duke e bojkotuar këtë komision.

Lajmin e ka bërë të ditur deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili.

“Hera e tretë sot që dështon mbledhja e Komisionit Hetimor për SKANDALET e rezervave shtetërore. VV po e bojkoton këtë komision. PSE-në tashmë e dini”, ka shkruar ajo në rrjetin social ‘Facebook’. 

Edhe javën e kaluar partia në pushtet e kishte bojkotuar këtë komision për dy herë radhazi.

Në mbledhjen ku parashihej të konstituohej ky komision munguan deputetët e LVV-së, Armend Muja, Driton Hyseni, Shqipe Meta-Isufi, Halil Thaçi dhe Salih Zyba.

Po ashtu mungoi edhe Erxhan Galushi nga partitë e komuniteteve.

Më 21 shtator, Kuvendi i Kosovës, ka diskutuar për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore.

Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë (MINT).

Për nevojë e themelimit të një komisioni hetimor për çështjen e rezervave shtetërore kishte folur Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

I cili e kishte konsideruar si të rëndësishëm një hetim të tillë për keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla, është i domosdoshëm.

Por, që ishte kundërshtuar nga Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila.

Gjatë fjalës së saj kundërshtuese ndaj kërkesës së opozitës për themelimin e Komisionit Hetimor, Kusari – Lila akuzoi deputetët se po duan të bëhen hetues dhe se nuk po i besojnë Prokurorisë.

Rasti i keqpërdorimit me rezerva shtetërore 

Albanian Post kishte raportuar në muajin prill të këtij vitit për problemin me Rezervat Shtetërore dhe keqpërdorimet potenciale që ndodhnin prapa arsyetimit se s’mund të jepeshin informacione meqë ishte sekret shtetëror.

Në artikullin me titull “Rezervat Shtetërore të Kosovës – A po mbulohet keqpërdorimi milionësh me arsyetimin e “sekretit shtetëror”?”, AP kishte nxjerrur në pah faktin se Kosova ka blerë mallra për rezerva shtetërore nga një kompani turke fantom.

Nga Prokuroria Speciale akuzohen dy zyrtarë të MINT drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetrore, Hafiz Gara, Drejtori i Integrimeve Evropiane, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi, afarist.

Organi i Akuzës i ngarkon Garën e Lipovicën se kanë anashkaluar ligjin e Prokurimit Publik kur kanë kërkuar që malli të blihet pa procedura, por me negocim.

Prokuroria në dosje thotë se buxheti i Kosovës është dëmtuar 600 mijë euro si shkak i mos ardhjes së vajit, sheqerit dhe 52 tonë grurë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore