Lajme

Dëshmitarja në rastin Gucati – Haradinaj në Speciale: Nuk isha e përfshirë në rastin e arrestimit të Haradinajt


Dëshmitarja në rastin Gucati-Haradinaj, Zdenka Pumper

Në ditën e gjashtë të dëgjimit të dëshmitares së parë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në rastin e Gjykimit ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, Zdenka Pumper po përgjigjet pyetjeve të avokatit mbrojtës të Haradinaj, Toby Cadman.

Pumper, ka thënë se ajo nuk ka qenë e përfshirë në arrestimin e Nasim Haradinajt dhe se ka drejtuar disa pjesë të hetimit në këtë rast edhe pse nuk ishte pjesë e zinxhirit komandues.

Duke u përgjigjur pyetjeve të avokatit të Haradinajt, dëshmitarja Pumper ka bërë të ditur se me 25 shtator ajo nuk e ka kryesuar kontrollin në zyrat e OVL-UÇK-së.

Avokati i Nasim Haradinaj, Toby Cadman

Më pas pyetje dëshmitares iu është parashtruar nga avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Reese, i cili ka pyetur se ZPS-ja a e ka trajtuar Faton Klinakun edhe Tomë Gashin si të dyshuar në kohën kur e ka kryer kontrollin në OVL-UÇK.

“Nuk e kam ditur nëse Klinaku në atë kohë konsiderohej i dyshuar në këtë çështje”, ka thënë ajo.

Duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të trupit gjykues, dëshmitarja Pumper bëri të ditur se Tomë Gashi shihej në videon dhe pasi ka qenë përfaqësues ligjor i OVL-së, për të qenë i pranishëm gjatë kontrollit dhe kjo është një kërkesë ligjore.

Sipas saj, ai ka qenë i pranishëm gjatë gjithë kontrollit, si dhe bëri të ditur se gjatë kontrollit dhe sekuestrimit, i pranishëm ishte edhe një vëzhgues i pavarur.

“Do të doja të thoja që zoti Klinaku ishte përfaqësues i OVL në mungesë të Gucatit dhe ai më tha personalisht që unë kisha bërë misionin tim shumë mirë, kisha kontrolluar dhe sekuestruar shumë mirë dhe zoti Gashi që ishte përfaqësues i OVL, më tha boll bëtë zhurmë, e di që po e bëni mirë këtë punë, por po e bëni më mirë se që duhet”, ka thënë ajo.

Avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Reese

Më tutje dëshmitarja në rastin Gucati-Haradinaj iu është përgjigjur edhe pyetjeve të Prokurores Speciale, Valeria Bolicci, duke deklaruar se në paketën e tre që ishte marrë nga zyrat e OVL-UÇK-së përfshiheshin emrat e dëshmitarëve që Zyra e Prokurorit të Specializuar, i kishte intervistuar.

Ajo tha se edhe paketa 3 është lidhur me hetimet e ZPS-së dhe me sa e di përmban informacion që nuk ishte bërë publik nga ZPS dhe përfshinte emra dëshmitarësh që ZPS kishte intervistuar.

Tutje, dëshmitarja konfirmoi se kishte edhe referenca të të dhënave dhe informacioneve të dhëna nga dëshmitarët, kurse mohoi se ZPS ka bërë ndonjë emër apo provë apo informatë të dhënë nga dëshmitarët e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore