Kosova

Dëshmitari i tretë në rastin Gucati-Haradinaj, pas rrjedhjes së dokumenteve u kontaktuan dëshmitarët dhe viktimat


Miro Jukiç, dëshmitari i tretë në rastin Gucati-Haradinaj

Gjatë ditë së enjte, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të tretë për rastin e ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Miro Jukiç, i cili punon në Zyrën e Prokurorit të Specializuar si udhëheqës i ekipit për sigurinë dhe trajtimin e dëshmitarëve është dëshmitari i radhës në rastin Gucati – Haradinaj.

Ai ka treguar se pas rrjedhjes së dokumenteve në shtator të vitit të kaluar, menjëherë ZPS-ja ka marrë parasysh të kontaktojë dëshmitarët e viktimat.

“Pas rrjedhjes së informacionit më 22 shtator, morëm vesh se cilat dokumente u bënë publike. Vendosëm të shikojmë listën, të shqyrtojmë dokumentet, të identifikojmë të gjitha emrat e përfshirë në këtë rrjedhje të informacionit. Kaluam emrat një nga një, i identifikuam dëshmitarët bashkëpunues e vendosëm të thërrisnim e të informonim ata për rrjedhjen”, është deklaruar Jukiç.

“Menduam se e kishim detyrim të informonim njerëzit që kanë dhënë deklarata e bashkëpunuar me ZPS-në. E kishim detyrim të informonim se emrat e tyre janë bërë publik”.

Ai ka thënë se në dokumente ka pasur emra të viktimave por edhe dëshmitarëve bashkëpunues duke shtuar se ata janë kontaktuar nëpërmjet numrave të telefonit.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj

Jukiç, ka bërë të ditur se vetë është përfshirë në këtë proces të kontaktimit ku vetëm ai ka kontaktuar rreth 30 veta.

Para se Jukiç të filloi dëshminë e tij në Gjykatën Speciale, Jonathan Elystan Rees, avokat i ish-Kryetarit të OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, ka kërkuar nga gjykata në Dhomat e Specializuara të Kosovës, që dëshmia e dëshmitares së parë Zdenka Pumper të hidhet poshtë.

Kjo pasi vlera prodhuese është më e vogël se efekti dëmtues.

“Në lidhje me parashtrimin e parë zonja Pumper u thirr në emër të ZPS-së dhe dëshmoi për të përmbledhur në fakt 4 siç i quan ajo paketat 1,2,3,4, shumica e të cilave nuk janë provuar si dokumente prova materiale, trupi gjykues nuk ka qasje në to për të bërë vlerësimet e tyre, as mbrojtja gjithashtu nuk është në gjendje t’i kontrollojë pohimet e saj lidhur me përmbajtjen e këtyre dokumenteve”, ka thënë avokati Rees.

Parashtrimin e avokatit Rees e ka mbështetur në tërësi edhe avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman.

Jonathan Elystan Rees, Toby Cadman

Gjykimi në rastin Gucati-Haradinaj, në Speciale ka filluar me 7 nëntor të këtij viti.

Dëshmitarja e parë për këtë rast ishte koordinatorja e hetimit në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Zdenka Pumper, e cila dëshmojë për gjashtë ditë.

Ndërsa dëshmitari i dytë ishte ish-gazetari i Gazetës Infokus, Halil Berisha, i cili ka dëshmuar për dy ditë me rresht.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore