Gjykata Speciale

Dëshmitari i katërt vazhdon dëshminë në Speciale, seanca sërish e mbyllur


Edhe të premten e 12 majit është duke vazhduar seanca ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Kjo seancë është duke vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të katërt, i cili është duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes në sesion privat.

Të enjten e 11 majit kishin përfunduar pyetjet për dëshmitarin e katërt në sesion privat, në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ndërkaq, për të premtën ishte planifikuar të fillojnë kundra-pyetjet nga mbrojtësit.

Gjithashtu, të enjten trupi gjykues kishte rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Krasniqit për përkthimin e shënimeve paraprake të ZPS-së.

Gjatë seancës së 10 majit 2023, mbrojtësi i Jakup Krasniqit, avokati Aidan Ellis, kishte kërkuar që dokumentet e dorëzuara nga Prokuroria, të përkthehen në gjuhën shqipe, pasi që sipas tij Krasniqi “nuk di të lexojë në gjuhën angleze”.

Edhe dëshmitari i radhës 47/48, në rastin ku të akuzuar janë ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ka nisur dëshminë e tij në seancë të mbyllur për publikun, me arsyetimin “për të mbrojtur identitetin e dëshmitarëve dhe të tjerëve”.

Deri më tani të gjithë dëshmitarët në këtë proces kanë dhënë dëshmitë e tyre në seanca kryesisht të mbyllura për publikun.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën 1998–1999.

Për këto krime të pretenduara, ZPS-ja pretendon se katër pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm ishin në dijeni ose kanë pasur arsye të jenë në dijeni.

Ata akuzohen edhe për pjesëmarrje direkte në frikësim, marrje në pyetje dhe keqtrajtim të të ndaluarve nëpër qendra ndalimi. Akuzat i kanë mohuar në tërësi Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi, e po ashtu edhe mbrojtësit e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore