Gjykata Speciale

Hagë: Trupi gjykues rrëzon kërkesën e Selimit për të hequr një pjesë të dëshmisë së një dëshmitari – mbyllet seanca kur dëgjohet dëshmitari i ri


Seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së filloi si çdo herë në ora 9:00 në Hagë por me 40 minuta vonesë në Kosovë.

Gjykimi ndaj tyre po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit të radhës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Katër të akuzuarit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, ish krerë të UÇK-së ishin të pranishëm në sallë, për të dëgjuar kështu dëshminë e dëshmitarit të radhës.

Kryetari i trupit Gjykues Charls Smith, me fillim ka hedhur poshtë një kërkesë të mbrojtjes së të akuzuarit Rexhep Selimi që të hiqet nga transkripi një pjesë e deklaratës së një dëshmitari, pasi që Selimi nuk ishte i përfshirë në të.

Charls Smith, Kryetar i trupit gjykues në rastin e ish krerëve të UÇK-së në Hagë

“Mbrojtja e Rexhep Selimit gjatë seancës 19 prill 2023, paraqiti një kundërshtim për dëshminë se kinse lidhet z. Selimi me një incident të caktuar”, thotë Smith.

“Baza për kundërshtimin e mbrojtjes, për këtë incident u përjashtua me urdhër gojor nga trupi gjykues me 17 prill 2023. Në fund të seancës së 19 prill 2023 mbrojtja e z, Selimit kërkoi që të përjashtoheshin disa pjesë të proces verbalit nga transkripti zyrtar dhe këtë e bëri para se të paraqiste kundërshtimin”.

“Trupi gjykues e shqyrtoi kërkesën dhe nuk mendoi se ka bazë ligjore, që ti jap të drejtë trupit gjykues të heqë nga proces verbali pjesë të caktuara për të cilat nuk pajtohet mbrojtja. Dëshmia është dhënë do të gjykohet në mënyrë të përshtatshme në përputhje me vendimin e datës së 17 prillit të këtij viti”, tha kryetari i trupit gjykues, Charls Smith.

“Kërkesa e Selimit rrëzohet”, përfundoi diskutimin për këtë çështje ai.

Më pas Smitih i kërkoi Zyrës së Prokurorit të Specializuar që të sqarojë se cila është prova materiale të cilën ata duan ta bëjnë pjesë të procesit për të akuzuarin ish kreun e UÇK-së, Hashim Thaçin.

“Për mocionin e prokurorisë për pranimin e deklaratave të të akuzuarit. Ndër gjërat e ndryshme që kërkoni të paraqisni është një intervistë e ZPS-së e zotit Thaçi e janarit të vitit 2020”.

“Lidhur me këtë intervistë ZPS kërkon që të paraqes diçka që njihet si provë materiale numër 14 dhe kjo përmendet në traskriptë në faqen 10. Trupi gjykues nuk është i sigurt për cilën provë materiale bëhet fjalë. Prandaj ZPS a mund të sqarojë për ne?”, pyet kryetari i trupit gjykues prokurorisë, me premtimin se këtë dhe çdo kërkesë tjetër do ta shqyrtojnë “në momentin e duhur”.

Smith njoftoi se gjykata nuk do të punojë në datat 2, 3, 4 dhe 5 tetor, siç u tha “për shkak të rrethanave”, por që nuk u tregua arsyeja e saktë. Duke shtuar se këto seanca do të dislokohen një javë më herët, në muajin shtator.

“Do të bëjmë seancë 1 javë më përpara, 25, 26, 27 shtator. Ju njoftojmë paraprakisht në mënyrë që të organizoheni sipas nevojës”, theksoi Smith.

Datat tjera të planifikuara për seanca në çështjen e Thaçit dhe të tjerët për këtë muaj janë: 11, 12, 15, 16, 17, 18, 22, 23 dhe 24 maj.

Edhe dëshmitari i radhës 47/48, në rastin ku të akuzuar janë ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ka nisur dëshminë e tij në seancë të mbyllur për publikun, me arsyetimin “për të mbrojtur identitetin e dëshmitarëve dhe të tjerëve”.

Deri më tani të gjithë dëshmitarët në këtë proces kanë dhënë dëshmitë e tyre në seanca kryesisht të mbyllura për publikun.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën 1998–1999.

Për këto krime të pretenduara, ZPS-ja pretendon se katër pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm ishin në dijeni ose kanë pasur arsye të jenë në dijeni.

Ata akuzohen edhe për pjesëmarrje direkte në frikësim, marrje në pyetje dhe keqtrajtim të të ndaluarve nëpër qendra ndalimi. Akuzat i kanë mohuar në tërësi Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi, e po ashtu edhe mbrojtësit e tyre.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore