Shqipëria

Deri në vitin 2028 parashikohet që Shqipëria të ketë 100 mijë njerëz më pak


Popullsia e përgjithshme e Shqipërisë parashikohet të zvogëlohet vazhdimisht deri në vitin 2028 me 100 mijë njerëz në total ( ose 3.5 për qind më pak).

Kështu bën të ditur raporti i fundit nga “Statista”, e cila është një platformë e specializuar në mbledhjen dhe vizualizimin e të dhënave.

Popullsia e përgjithshme vlerësohet të arrijë në 2.81 milionë njerëz në vitin 2028, sipas platformës gjermane.

Siç përcaktohet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, popullsia totale e një vendi përbëhet nga të gjithë personat që përfshihen në objektin e regjistrimit.

Kujtojmë që, procesi i numërimit të popullsisë dhe i banesave do të nisë më 18 shtator të këtij viti në vendin tonë.

Kështu bëri me dije drejtoresha e Instat-it, Elsa Dhuli, e cila ka theksuar se stafi për “Censin 2023” tashmë është rekrutuar dhe trajnuar.

Pyetësori përmban rreth 100 kategori pyetjesh për banesën, familjen, vendbanimin, punësimin apo bujqësinë dhe qytetarët kanë detyrimin që të përgjigjen.

Vetëm tre prej pyetjeve që lidhen me besimin, etninë dhe fenë do të jenë opsionale për t’u përgjigjur.

Ajo ka sqaruar se në rast se qytetarët refuzojnë të përgjigjen apo do të japin përgjigje të rreme ka penalitete.

Kështu rastet e mësipërme mund të penalizohen me 50 mijë lekë gjobë.

Censi

Instituti i Statistikave llogarit se kostoja është 16.9 milionë euro.

Lidhur me suksesin e këtij procesi në raport nënvizohet se ka nevojë për ndërgjegjësim të qytetarëve për të qenë aktivë në pjesëmarrje.

Instat nënvizon se do të angazhohet me një strategji komunikimi për të rritur informimin.

“Suksesi i Censit varet nga qasja pozitive dhe pjesëmarrja e popullatës në të. Prandaj, gjatë vitit 2023 do t’i kushtohet një vëmendje e veçantë zbatimit dhe monitorimit të strategjisë së komunikimit, elementë bazë të së cilës janë komunikimi me palët e interesuara dhe publikun në përgjithësi”.

Fushata e komunikimit do të promovojë Censin duke informuar publikun për qëllimin e tij.

Pas zhvillimit të censit do të ketë edhe një anketë të dytë duke përdorur modele statistikore të rekomanduara nga organizatat ndërkombëtare, pas numërimit në terren që llogarit nivelin e besueshëmrisë dhe cilësisë së të dhënave.

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 do të jetë Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923. Që prej Censit të vitit 1989, metodologjia e tij ka ndjekur gjithnjë e më shumë rekomandimet ndërkombëtare për kryerjen e Censit.

Situata në Ballkan

Me Serbinë që e ka nisur procesin e regjistrimit të të dhënave këtë tetor, Maqedonia e Veriut që e realizoi së fundmi, Kosova në vitin 2021, Shqipëria, Mali i Zi, dhe Bosnjë e Hercegovina janë ende në pritje.

Dy të fundit ndryshe nga Shqipëria, janë ndikuar nga faktorë të tjerë: përplasje mes deputetësh, ndërrim qeverish e të dhëna delikate që kanë ndikimin të drejtpërdrejtë në ruajtjen e establishmentit.

Kjo u vu re edhe në situatën e krijuar në Maqedoninë e Veriut, kur pas një sage me akuza të ndërsjella censi arriti që të realizohet.

Në Ballkanin Perëndimor, alarmin kryesor të zvogëlimit të popullsisë e lëshon Serbia, me 18.9 për qind, kur Bosnjë dhe Hercegovinës ndërkaq, pritet t’i bjerë me 18.2 për qind.

Shqetësim duhet të ketë edhe për Kroacinë, të cilën viti 2050 do ta kapë me 18 për qind të popullsisë më pak, ndërsa Moldavinë me 16.7 për qind më pak.

Japonia është vendi i parë jashtë kontinentit të vjetër, ku pritet një tkurrje e lartë e popullsisë me 16.3 për qind. Recesioni i lindshmërisë ka filluar në Japoni tashmë dhe Qeveria ka ngritur alarmin e veprimit.

Shqipëria fatkeqësisht ndodhet brenda dhjetëshes së parë nga fundit, ku mendohet se në tre dekada, popullsia do të tkurret gjithsej me 15.8 për qind.

Çfarë pritet në Shqipëri?

Shqipëria aktualisht po rritet shumë ngadalë për sa i përket popullsisë, me një normë rritjeje prej vetëm 0.34 për qind.

Këto projeksione parashikojnë gjithashtu një tkurrje të popullsisë së vendit pas vitit 2032, me një rënie të vazhdueshme të popullsisë deri në fund të shekullit.

Ritmi vjetor i rritjes së popullsisë në Shqipëri është luhatur midis përqindjeve të vogla në të dyja anët e zeros që nga fillimi i shekullit.

Lidhur me këtë fenomen, pedagogia e Politikave Sociale, Merita Xhumari, ka shpjeguar për Albanian Post se në Shqipëri janë shfaqur tendencat e reduktimit të popullsisë, që lidhen si me shkaqe të uljes së numrit të lindjeve, por mbi të gjitha me emigrimin e popullsisë aktive.

Që nga viti 2019, OKB-ja njoftoi se popullsia ishte afër një ndalese duke u rritur me vetëm 0.14 për qind në vit.

Migrimi neto është relativisht i ulët, por negativ, dhe faktori më i madh që kontribuon në sasinë e ulët ka qenë lindshmëria nën mesatare.

Ritmi në rënie i rritjes në Shqipëri pritet të vazhdojë edhe në vitet në vijim, ku norma do të bëhet negative rreth vitit 2027 dhe do të zbresë në afërsisht -0.66 për qind në vitin 2050.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore