Lajme

“Der Standard”: Vuçiçi po bën propagandë lufte kundër Kosovës – Perëndimi po duket i pafuqishëm


Aleksander Vucic

Një ndër gazetat më të lexuara austriake “Der Standard“, në raportimin e saj për koreografinë nacionaliste e luftënxitëse të tifozëve të klubit futbollistik serb “Crvena Zvezda (Ylli i Kuq)”, shfaqur më 26 korrik në Beograd, shkruan se propaganda e regjimit serb kundër Qeverisë së Kosovës është bërë jashtëzakonisht agresive.

Tifozët serbë të futbollit, para fillimit të një një ndeshje miqësore, kanë shfaqur imazhin e një automjeti ushtarak me simbole serbe ku shkruhej: “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”. E gazeta austriake shkruan se kjo retorikë është identike me atë të viteve ’90, kur presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ishte Ministër i Propagandës.

Gazeta austrike ka nënvizuar se presidenti serb po vazhdon përpjekjet e tij për ta radikalizuar opinionin publik në Serbi kundër Perëndimit, ndërsa ka tërhequr vërejtjen se në mediat e afërta me regjimin serb, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, cilësohet si “terrorist” dhe pretendohet se ai po dëshiron të nisë një luftë.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, padyshim që dëshiron të përgatisë publikun që konflikti të përshkallëzohet dhe në të njëjtën kohë ta radikalizojë atë”, shkruan gazetarja austriake, Adelheid Wolfl, në artikullin me titull: “Vuçiçi bën propagandë lufte me mbishkrime kundër Kosovës”.

E përditshma austriake ndër të tjera shkruan se gjuha militariste e tifozëve serbë të futbollit dhe kërcënimet e Vuçiçit po injorohen nga diplomatët perëndimorë, ngase sipas sak, besojnë se presidenti serb do të arrijë një marrëveshje me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve.

“Diplomatët perëndimorë duken të pafuqishëm. Sepse ndonëse pretendojnë se Vuçiçi do të pajtohej për një marrëveshje me Kosovën, ai asnjëherë nuk është përkushtuar – përkundrazi. Në fakt, ai dëshiron të bashkojë veriun e Kosovës me Serbinë”, shkruan tutje “Der Standard” me seli në Vjenë.

Stadiumet e futbollit në Serbi – aty ku zhduket hapësira ndërmjet reales dhe imagjinares – janë vende ku huliganët serbë mund të shprehin lirshëm ndjenjat e tyre etno-nacionaliste e armiqësore me përkrahje të madhe nga shteti. Ato ende shpërbejnë si arenë politike dhe vende ideale për shpalljen e propagandës serbe.

Koreografia skandaloze e shfaqur të mërkurën para ndeshjes miqësore me klubin italian “Fiorentina” nga huliganët serbë të futbollit, ishte identike me atë të shfaqur në shkurt të këtij viti në një park lojërash për fëmijë në qendër të Beogradit, saktësisht në muret e Institutit për Kimi, Teknologji dhe Metalurgji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore