Lajme

Deputeti ukrainas në Kuvend: Do të bëj gjithçka që Ukraina ta njohë Kosovën sa më parë


Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko.

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, është duke marrë pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës të enjten.

Ai gjatë fjalimit të tij në Kuvend ka thënë se do të bëj gjithçka që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Unë mendoj që kjo duhet të bëhet sa më parë, unë do të bëj çfarëdo që është në dorën time që t’ju ndihmoj në këtë”.

“Mendoj se kjo është diçka që ne duhet ta bëjmë sepse me të vërtetë, ju luftuat për lirinë tuaj, ju jeni shtet i pavarur dhe unë do të bëj gjithçka që mundem për t’ju ndihmuar në këtë”.

Goncharenko, u shpreh se edhe Kosova kishte përjetuar gjenocid, ashtu siç po i ndodhë Ukrainës tani.

“Ne ndjehemi shumë të afërt me ju, sepse edhe kosovarët kanë kaluar nëpër gjenocid. Ukrainasit janë duke kaluar nëpër këtë tani. Kosovarët kanë luftuar për pavarësinë e tyre dhe ne tani jemi duke luftuar për pavarësinë tonë”, tha ai.

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko

Goncharenko tutje është shprehur se Kosova mund të mbështetet gjatë gjithë kohës tek Ukraina.

“Ne organizuam grupin parlamentar, miq të Kosovës dhe unë e kam nderin të jem kryetar i këtij grupi parlamentar, kështu që mund të mbështeteni tek ne. Çdo ditë”.

Gjithashtu, ofroi mbështetje që Kosova të bëhet edhe anëtare e Këshillit të Evropës.

“Si anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si nënkryetar i komisionit për refugjatët e migracionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si anëtar i  grupeve konservatore evropiane. Dua t’ju siguroj se do të bëj gjithçka që mundem për të mbështetur Kosovën për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës”.

Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën me një minutë heshtje për të vrarët në Ukrainë.

Pse fola me aq pasion për Kosovën në KiE? – Oleksiy Goncharenko intervistë për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore