Kosova

Deputeti provon t’i qetësojë veteranët: “Runa zot me prekë policin, sepse prekni në gjak të dëshmorit”


Hisni Berisha

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-komandat i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hisni Berisha, u ka garantuar veteranëve të luftës se ligji që i diskriminon ata nuk do të kalojë, prandaj u ka kërkuar që në asnjë mënyrë të mos thyejnë gjë e të mos lëndojnë policët që po qëndrojnë si kordon në mes të veteranëve të revoltuar e objektit të Kuvendit të Kosovës, ku protestuesit kanë synuar të futen.

“Ju garantoj, deputetët janë me ju, nuk do të lejojmë të kalojë ky ligj në Kuvend”, u ka thënë Berisha veteranëve që kërkojnë të përfshihen në ligjin për rritjen e pagës minimale dhe nga 170 euro sa marrin tani, të kalojnë në mbi 250 euro.

“Na nuk jemi pak, na jemi shumë, sepse ne e kemi bërë luftën, kemi sjellë lirinë dhe e kemi bërë këtë shtet. Ju keni të drejtë në çdo gjë, por një duhet ta dini që këto institucione dhe këta policë janë tonët. Mos gaboni me dëmtu asnjë gjë”, tha Berisha.

“Runa zot me prekë policin, sepse prekni në gjak të dëshmorit”.

“Nuk është dashur t’iu nxjerrim juve në rrugë. Jemi ne deputetët që duhet të dalim në rrugë e në Kuvend e në qeveri me protestu për ju. Jo ju”.

“Qëndroni dinjitozë, siç keni qenë në luftë. Ju jeni luftëtarë, ju nuk luftoni me gurë e me të shtyra”, u tha ai.

Protestuesit në anën tjetër kanë kërkuar nga Berisha që t’u bëjë thirrje edhe deputetëve të tjerë e të dalin edhe ata ta përkrahin protestën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore