Lajme

Deputeti i VV-së për ndërprerjen e rrymës: KEDS-i po i diskriminon disa lagje të Prishtinës


Ilustrim

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka thënë se kompania për shpërndarjen e rrymës KEDS, po diskriminon disa lagje të Prishtinës.

Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se kjo po bëhet pasi në disa pjesë të Prishtinës nuk ka rrymë deri në gjashtë orë, kurse në disa të tjera nuk ndalet fare.

“Në disa lagje rryma ndalet deri në gjashtë orë në ditë, ndërsa kemi lagje ku energjia nuk ndalet fare. KEDS nuk guxon t’i privilegjojë lagjet e caktuara me energji elektrike, ndërsa lagjet në periferi t’i diskriminojë duke i lënë në terr me orë të tëra”, ka shkruar Bajqinovci.

Deputeti Mefail Bajqinovci

Në anën tjetër, Eugen Cakolli nga Instituti i Kosovës për Demokraci, ka thënë “normalisht që përballemi me reduktime nga dy orë, dy tre herë gjatë ditës (jo një herë siç po gënjen KEDS-i)”.

“Derisa shumica e vendeve shpallnin gjendjen e jashtëzakonshme energjetike para shumë jave, institucionet tona merreshin me ‘joysticks’ e batanije. KOSTT-i e ZRrE-ja, si zakonisht ishin indiferente, e madje në krah të kompanive private”, ka shkruar Cakolli në Facebook.

Ai ka theksuar se tashmë shpenzohen miliona euro, “por kot”.

ugen Cakolli nga Instituti i Kosovës për Demokraci

“Veprimet ad-hoc janë gati po aq të dëmshme sa mosveprimi i deritanishëm dhe trajtimi pa fije serioziteti i kësaj çështje”.

Ndërkaq, të enjten e 23 dhjetorit në Kosovë kanë nis të kthehen reduktimet e energjisë elektrike.

Këtë e ka bërë të ditur operatori i shpërndarjes së rrymës në vend, KEDS,pasi sipas tyre ky vendim ka ardhur për shkak të mbingarkesës së sistemit elektroenergjetik në vend ditëve të fundit.

“Operatori i Tregut- KOSTT, duke u bazuar në ligjet në fuqi, ka udhëzuar që të fillohet me kufizime të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e KEDS.

Ndërtesa e KEDS

Situata do të mbizotërojë gjatë 24 orëve të ardhshme, ndërsa për ditët në vijim priten instruksionet e KOSTT-it.

KEDS-i më tej ka apeluar për kursim të rrymës e për përdorim të formave alternative të ngrohjes.

“Sistemi elektroenergjetik i vendit është afektuar tashmë komplet nga kriza globale dhe pasojat e saj përballohen më lehtë, nëse secili nga ne jep kontributin e tij. Pra, që kriza të ketë ndikim sa më të vogël, KEDS apelon për kursim maksimal të energjisë elektrike dhe përdorim të formave alternative të ngrohjes, aty ku ka mundësi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore