Sport

Deputeti i VV-së me fanellë në Kuvend: Desha ta përkrah Llapin nga Kuvendi i Kosovës


Deputeti Fitim Haziri me fanelle ne Kuvend

Në vend të këmishës me kollare, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri, ka zgjedhur që në sallën e Kuvendit të shkojë i veshur me fanellë futbolli.

Haziri, deputeti nga Podujeva, u shfaq me numrin 4 të “KF Llapit”, që këtë të enjte, me fillim në orën 20:00 ndeshet në finalen e Kupës së Kosovës me Dritën e Gjilanit.

“Kam dashtë me ja dhanë një përkrahje Llapit prej Kuvendit Kosovës”, tha Haziri për Albanian Post, kur u pyet për paraqitjen prej futbollisti në Kuvend.

“Jam i Podujevës dhe e përkrahi klubin tim prej nga vij. Përderisa deputetët tjerë përkrahin klubin e tyre nga Gjilani edhe unë do ta bëj”, shtoi deputeti i VV-së.

Kur ai u pyet se a ka pasur deputetë të tjerë të veshur me fanella, Haziri tha: “Më lindi ideja aty për aty edhe vendosa që me veshjen e fanellës ta përkrahi klubin tim”.

Kujtojmë që finalja e Kupës së Kosovës mes Llapit dhe Dritës do të zhvillohet mbrëmjen e së enjtes me fillim nga ora 20:00.

Përndryshe, Llapi e ka fituar edhe vitin e kaluar këtë trofe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore