Lajme

Deputeti i VV-së kërcënon deputeten e LDK-së: “Mos ta ni zanin…”


Mbledhja e Komisionit për Rezerva Shtetërore.

“Mos ta ni zanin..”, kështu iu drejtua deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Halil Thaçi, deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit për Rezerva Shtetërore.

Kjo pasi që Kica, kërkoi nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Driton Hyseni, të përgjigjet nëse është i të njëjtit mendim si ai i deputeti Thaçi, i cili deklaroi se, “LDK-ja po viktimizohet përmes njerëzve të vrarë”.

“Nuk janë vra vetëm LDK-ja edhe ushtarët e UÇK-së janë vrarë”, i tha Thaçi, Kicës.

Pyetja e Kicës, ndaj deputeti tjetër të LVV-së Driton Hyseni, dërgoi në një përplasje të gjatë në këtë komision.

Deputetja e LDK-së, kërkoi nga Hyseni, ta sqaroj qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje.

“Kur thotë kolegu yt LDK-ja është viktimizu për shkak të njerëzve të vetë të vrarë dhe ti nuk reagon çfarë të them unë më shumë? Çfarë është opinioni juaj për deklaratën e kolegut tënd, se LDK-ja është viktimizu për shkak të njerëzve të saj të vrarë?”.

Deputeti Hyseni, tentoi ta jap një përgjigje në pyetjen e deputetes Kica-Xhelili.

“Nuk ka fushatë politike që është bërë në vendin tonë e që nuk është bërë thirrje për sqarimin e rrethanave të çdo gjë aktivisti që është vrarë edhe për pjesëtarët e LDK-së”.

Kica Xhelili, insistoi që deputeti Hyseni të përgjigjet në pyetjen se, “a pajtohet me deklaratën që LDK-ja po viktimizohet me njerëz të vrarë”, duke shtuar se të përgjigjet  vetëm me “po ose jo”.

Por, Hyseni iu kundërpërgjigj duke thënë, “s’do të përgjigjem në mënyrën që dëshiron ti”.

“Ata janë bashkëqytetarë të këtij vendi unë ndjej për ta, gjithmonë LDK-ja është ankuar dhe e ka ngritur këtë çështje”, deklaroi ai.

Duke iu drejtuar deputetes Kica, se “edhe sot ti je pjesë e një opozite që ke tentuar ta ndryshosh në Kosovë”.

Kica, kërkoi të dijë nga ta se në cilën cështje dëshirojnë të bëjnë zgjidhje kur as për çështjen e aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari, s’kanë bërë asgjë.

“Qysh mundeni me zgjedh këtë çështje, kur as për Astritin s’keni bërë gjë”.

Kërkesa e deputetit Hyseni ndaj Kicës, më pas është që ta ndryshoj intonacionin e zërit kur bisedon me të.

“Mos ma ngrit zërin”, Hyseni i thotë Kices.

Edhe nevoja që kërkesa për sjellje të dokumentacionit nga ana e Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë (MINT), lidhur me keqpërdorimin e rezervave shtetërore ka dërguar në përplasje në Komisionin Hetimor Parlamentar.

Sipas partive opozitare, një dokumentacion i tillë do të luante rol në zbardhjen e së vërtetës në lidhje me keqpërdorimet e mundshme.

Por nga ana e pozitës, më e nevojshme po konsiderohet konsultimi për ligjin për qasje në dokumentacion të kualifikuar para se t’i kërkohen dokumente ministres.

“Nuk e kuptoj pse duhet ne të kemi vendime të tilla për mos hedhje në votim të një propozimi të një deputeti të pozitës. Nuk jam ithtar që të kemi mbledhje ku çështjet parimore që duhet t’i trajtojmë, siç janë propozimet e deputeteve, injorohen nga ana juaj. Edhe nëse është propozimi më i gabuar, ju mund ta hidhni në votim”, tha deputeti i VV-së, Driton Hyseni.

Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, tha se komisioni s’po arrin ta kryej punën e vetë për shkak të mungesës së dokumentacionit nga MINT.

“Të gjithë e dimë se pse ne jemi duke ardhur në këtë moment dhe nuk kemi avancuar fare. Unë jam munduar ta ruaj një korrektësi edhe kur nuk keni pasur fare të drejtë edhe pse e kam parë që qëllimisht po e prolongoni punën e këtij komisioni”, tha Qalaj.

Qalaj, bëri të ditur se këtij komisioni do t’i përfundojë mandati më 6 prill, duke shtuar se “do të kërkojmë nga Kuvendi që t’i vazhdohet mandati”.

Kurse deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelil, pohoi se ministria e ka për obligim që me një të tretën e nënshkrimeve të këtij komisioni t’i sjellë dokumentet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore