Lajme

Deputeti i PDK-së lëshon seancën: Po bëni tradhti ndaj vendit


Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka lëshuar sallën në seancën e Kuvendit të Kosovës duke deklaruar se “në vend që të diskutohet për çështjen e sigurisë në veri, deputetët po flasin për energjinë elektrike”.

Ai madje këtë e ka konsideruar si “tradhti ndaj vendit” ndërsa duke dalur nga seanca deklaroi se “mund t’ia heqin mëditjen e pjesëmarrjes”.

“Kam paralajmëruar që këto aktivitete në veri e kanë një prapavijë dhe ajo që kam paralajmëruar po bëhet realitet. Ju po rrëshqitni drejt diçkaje tjetër dhe ajo do të jetë tradhtia ndaj vendit. Ju sot keni thirrur seancë për energjinë dhe po e fyeni inteligjencën e qytetarëve dhe Kuvendit”.

“Kur kam dëgjuar se kryeministri tha se propozimi franko-gjerman është projekt i mirë, jam i bindur se kryeministri po rrëshqet aty ku kam paralajmëruar. Unë nuk pranoj të jem pjesë e një debati të tillë, shumë shpejt do ta bëni edhe një hap dhe do ta merrni emrin e merituar. Unë nuk do të jem pjesë e kësaj seance”, deklaroi Berisha.

Konjufuca e ndërpreu disa herë Berishën duke i thënë se “nuk jeni në temë”.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Edhe, shefi i grupit parlamentar, Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), deklaroi se para kësaj situate masat emergjente do të duhej të merren për një situatë tjetër aktuale që është në Kosovë.

Ai madje ka kritikuar të gjithë deputetët për mos seriozitet të situatës në Veri.

“E shoh se si deputetë nuk jemi serioz. Si deputetë, nuk jemi duke e trajtuar gjendjen që është sot në vend me asnjë seriozitet, për ne si grup paralemtantar, nevoja për masa emergjente është që të merren për sigurinë në vend, për situatën që është krijuar në Veri të Kosovës. Po ju bëj një pyetje, unë sot juve deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, a është dashur kryeministri i Kosovës të jetë këtu sot të raportoj para këtij Kuvendi se si është situata në Veri të Kosovës”.

“Unë jam i habitur me këtë qasje, por edhe e shoh që gjendja në vend nuk ka qenë më e keqe tash e 20 vjet”.

Sa i përket gjendjes emergjente ai ka kërkuar përgjigje nga ekzekutivi se edhe sa kohë do ta mbajmë gjendjen e jashtëzakonshme.

“Kërkesa për gjendje të jashtëzakonshme, respektivisht për marrjen e masave emergjente tash e gjashtë herë na tregon disa tregues. E para ka të bëjë me një pyetje hipotetike se a është ka dëshiron Qeveria që 20 muaj ta mbajë gjendjen e jashtëzakonshme dhe rrjedhimisht 6 herë radhazi me marrë masa emergjente për këtë sektor”.

“Si është e mundur që në komisionin përkatës, Qeveria të mos jep asnjë analizë që ky kuvend i ka marrë në raport me masat emergjente për sektorin e energjisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore