Lajme

Deputeti gjerman për situatën në Veri: S’duhet harruar që Kosova po përpiqet të zbatojë ligjin


Deputeti gjerman nga radhët e CDU-së, Knut Abraham

Deputeti gjerman nga radhët e CDU-së, Knut Abraham, ka theksuar mbështetjen e tij të plotë për sundimin e ligjit në Kosovë në katër komunat veriore.

Abraham, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Twiterr’, shkruan se përkundër të gjitha kritikave të justifikuara nuk duhet harruar se një shtet po përpiqet të zbatojë të drejtat në territorin e tij.

“Përkundër të gjitha kritikave të justifikuara ndaj veprimeve të autoriteteve kosovare, nuk duhet harruar se një shtet po përpiqet të zbatojë të drejtat e tij në territorin e tij kundër pengesave dhe ndikimeve të shumta nga jashtë”, ka shkruar ai.

Çka ndodhi?

Në mesditën e së premtes e 27 majit në katër komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës u dëgjuan sirena alarmi si paralajmërime për serbët lokal të cilët më pas bllokuan qasjen për në objektet komunale të Komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Arsyeja e lëshimit të alarmit dhe rrjedhimisht tubimit të serbëve lokal në ndërtesat e Kuvendeve Komunale ka për qëllim pengimin e kryetarëve të rinj të cilët kanë tentuar të hyjnë në hapësirat e komunave.

Albanian Post raportoi mbi aksionin e Qeverisë së Kosovës, e cila është vendosur që të marrë objektet komunale nga strukturat paralele në atë mënyrë që kryetarët e rinj ta vazhdojnë mandatin në ndërtesat e komunave.

Sipas të njëjtave burime, qeveria paraprakisht i ka njoftuar edhe ambasadat e shteteve të QUINT-it (ShBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali) në Kosovë, por nuk ka gjetur pajtimin e tyre për këtë veprim.

Megjithatë përkundër tubimit të serbëve lokalë në ndërtesat komunave repsektive në Veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci dhe kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai Leposaviqit, Lulzim Hetemi, kanë arritur të futen në ndërtesat komunale.

Në të tri komunat Policia e Kosovës ka arritur të “thyej” turmën e protestuesve serbë duke e liruar edhe objektet e këtyre Komunave.

Policia e Kosovës u detyrua të përdorë gaz lotsjellës e shok bomba për të shpartalluar turmën e serbëve të cilët ishin mbledhur përpara ndërtesave komunale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore