Lajme

Deputetët e VV’së me bojkot e dështuan punën e Komisionit Hetimor për Rezerva Shtetërore – as ministria nuk i solli dokumentet


Foto: Albanian Post.

Kuvendi i Kosovës kishte themeluar Komisionin për Rezervat Shtetërore më 21 shtator, ndërsa e kishte konstituar atë më 30 nëntor të 2023-së, kjo me qëllim që të hetoheshim dyshimet për keqpërdorim me rezervat shtetërore nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), rast për të cilin po akuzohen dy zyrtarë të MINT, drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore, Hafiz Gara, Drejtori i Integrimeve Evropiane, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi, afarist.

Përmes veprimeve të Garës dhe Lipovicës, nga Prokuroria Speciale ishte thënë se buxheti i Kosovës ishte dëmtuar 600 mijë euro si shkak i mos ardhjes së vajit, sheqerit dhe 52 tonë grurë.

Hetimet kishin nisur kur në media ishin publikuar audio-incizime, ku zyrtarët e kësaj ministrie pretendonin se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës s’arriti asnjëherë.

Obligim i këtij komisioni ishte që të hetoheshin këto akuza dhe dëmet që i ishin shkaktuar shtetit, por përveç përplasjeve, fyerjeve, gjuhës jo parlamentare, ky komision s’arriti të dëshmojë asgjë tjetër, mandati i të njëjtit do të përfundojë me 5 prill.

Nga shoqëria civile nuk po e shohin të arsyeshëm vazhdimin e mandatit të këtij komisioni – ndonëse kërkesa nga kryetari i komisionit do të bëhet.

Foto: Albanian Post.

Komisionit të mos i vazhdohet mandati – pati sjellje joprofesionale

Hulumtuesi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (KDI), Arbër Thaçi, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post thotë se dështimi i këtij komisioni erdhi për shkak të bojkotit të deputetëve.

Sipas tij, edhe nëse komisionit i vazhdohet mandati hetim s’do të ketë lidhur me këtë rast.

“Puna e Komisionit ishte pamundësuar nga bojkoti, në këndvështrimin tim, kjo rrethanë nuk peshon në masën që të përligjë vazhdimin e mandatit. Në kontekstin e Komisionit Hetimor për Rezerva Shtetërore, duke shqyrtuar mënyrën e funksionimit përgjatë punës së këtij komisioni, duhet të pohohet se çfarëdo vazhdimi i mandatit nuk i ofron kohën e nevojshme për hetim, deputetëve, të cilët, platformën e Komisionit nuk kanë synuar ta përdorin për hetim”.

Vazhdimin e këtij komisioni, ai nuk e sheh të nevojshëm edhe për një arsye tjetër.

Komisioni Hetimor për Rezervat Shtetërore.

“Çështja tanimë është në hetim nga organet e drejtësisë”, thotë Thaçi për Albanian Post.

Kërkesë e tij drejtuar institucioneve është që në rast të paraqitjes së kërkesës, komisionit të mos i vazhdohet mandati.

“Sjellja joprofesionale kundrejt funksionit që deputetët kanë bartur brenda Komisionit, rrezikon seriozisht dëmtimin e një procesi të rëndësishëm si ky. Përfundimisht, në vlerësimin tim, Komisionit Hetimor për Rezerva në rast të kërkesës për zgjatje të mandatit duhet t’i refuzohet pretendimi për zgjatje të mandatit, për përdorim tërësisht joprofesional të mundësive hetuese gjatë mandatit bazë prej 6 muajve”.

“Do ta dorëzojmë kërkesën për vazhdim të mandatit – refuzimi për dokumentet tregon për keqpërdorim”

Kryetari i Komisionit, Rashit Qalaj, gjatë një bisedë për Albanian Post sqaron fillimisht se komisioni s’u mblodh jashtëligjshëm në mbledhjen e fundit, kjo pasi të njëjtit i skadon afati me 5 prill.

Ai thotë se mandati i është zgjatur komisionit për shkak të pushimit dimëror.

“Komisioni i ka pasur gjashtë muaj mandat në rast se nuk do të ishte pushimi dimëror do të përfundonte mandati në mars. Por, për shkak të pushimit dimëror automatikisht mandati i është vazhduar edhe për 16 ditë më shumë që do të thotë se nuk është në kundërshtim me ligjin”, deklaron Qalaj për Albanian Post.

Pavarësisht, kritikave që ka shoqëria civile, Qalaj kërkesën për vazhdimin e mandatit të këtij komisioni do ta paraqesë sërish.

Ai fajëson deputetët e pushtetit për mosrealizimin e synimeve të këtij komisioni.

“Besoj që të premten do ta bëjë kërkesën për vazhdimin e mandatit të komisionit dhe kjo për shkak se Lëvizja Vetëvendosje (LVV), na bojkotoi mbledhjet që nga themelimi i Komisionit”.

Si kryetar i komisionit ai tregon se mos sjellja e dokumenteve nga dikasteri që po dyshohet për këtë veprim vërteton se ka keqpërdorime.

“Mos sjellja e dokumenteve nga MINT, tregon që në atë ministri ka keqpërdorime. Nëse s’ka pasur keqpërdorime dokumentet do të dorëzoheshin me kohë, por gjatë gjithë kohës nga ky dikaster s’janë marrë parasysh kërkesat tona”, pohon ai.

Çka u tha nga ministrja Hajdari dhe kryeministri për keqpërdorimin e rezervave?

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, përmes një konferencë në gusht të 2023-së, kishte akuzuar Policinë e Kosovës për mosprezantim të certifikatës për dokumentet sekrete.

Ajo kishte thënë se policia gjatë bastisjeve kishte marrë në cilësinë e provave dokumente, që janë të klasifikuara si sekrete shtetërore.

Ajo tha se Policia e Kosovës “nuk ka prezantuar certifikatë të sigurisë sekrete”, duke shtuar se marrja e këtyre dokumenteve është bërë në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.

“Ju njoftoj se vetëm 3 për qind e totalit të furnizimit kemi pasur vonesa gjatë vitit 2022 për të cilat vonesa me datën 8 qershor 2023 është njoftuar edhe Avokatura Shtetërore nga zëvendës sekretari ynë për inicim të procedurës gjyqësore”, tha Hajdari kur u pyet nëse mallrat e blera për rezervat shtetërore kanë arritur në Kosovë.

Hajdari, shtoi se nuk ka asnjë dyshim te zyrtarët që ishin ndaluar, ndërkaq ishte përgjigjur edhe në pyetjen nëse do të japë dorëheqje.

“Unë nuk shoh asnjë arsye të jap dorëheqje, e them me përgjegjësi të plotë”, tha ajo.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e kishte mbrojtur ministren e vet duke i hedhur poshtë dyshimet për keqpërdorimet me rezervat shtetërore.

Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja Rozeta Hajdari.

“Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në ministren e Industrisë Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin”, kishte thënë ai.

Albanian Post kishte raportuar në muajin prill të këtij vitit për problemin me Rezervat Shtetërore dhe keqpërdorimet potenciale që ndodhnin prapa arsyetimit se s’mund të jepeshin informacione meqë ishte sekret shtetëror.

Në artikullin me titull “Rezervat Shtetërore të Kosovës – A po mbulohet keqpërdorimi milionësh me arsyetimin e “sekretit shtetëror?”, AP kishte nxjerrur në pah faktin se Kosova ka blerë mallra për rezerva shtetërore nga një kompani turke fantom.

Nga Prokuroria Speciale akuzohen dy zyrtarë të MINT drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërorë, Hafiz Gara, Drejtori i Integrimeve Evropiane, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi, afarist.

Organi i Akuzës i ngarkon Garën e Lipovicën se kanë anashkaluar Ligjin e Prokurimit Publik kur kanë kërkuar që malli të blihet pa procedura, por me negocim.

Prokuroria në dosje thotë se buxheti i Kosovës është dëmtuar 600 mijë euro si shkak i mos ardhjes së vajit, sheqerit dhe 52 tonë grurë.

Çka janë rezervat shtetërore?

Kosova ka nisur të mbledh rezerva shtetërore nga viti 2012, ndonëse ligji ekziston që nga viti 2010.

Përmes rezervave shteti mbledh prodhime themelore bujqësore, grurin dhe nënproduktet e tij, kripë, sheqer, vaj, produkte sanitare, ilaçe esenciale, naftë dhe derivate të saj, mjete monetare, makineri dhe pajisje të tjera për intervenime emergjente.

Të njëjtat krijohen me buxhet të Kosovës, por edhe nga mallrat që vijnë si ndihmë humanitare si dhe nga mallrat e konsifikuara që kalojnë në pronësi të shtetit.

Ndërsa, mallrat menaxhohen nga Departamenti i Rezervave Shtetërore që është në kudër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Ilustrim i Rezervave Shtetërore.

Rezervat shtetërore mund të shfrytëzohen në luftë, fatkeqësi natyrore apo edhe kur duhet dërguar ndihmë emergjente shteteve të tjera që po përballen me ndonjë katastrofë të madhe.

Informacioni se sa ka rezerva konsiderohet si sekret shtetërore, prandaj këtë informacion përveç krerëve të shtetit nuk e posedon ndokush tjetër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore