Lajme

Konstitohet komisioni hetimor parlamentar për rezervat shtetërore, pas shtatë dështimesh


Foto: Albanian Post.

Pasi që dështoi për shtatë herë radhazi, komisioni hetimor për rezervat shtetërore është votuar të enjten nga deputetët i cili do të ketë mandat prej 6 muajsh.

Kryetari i këtij komisioni, Rashit Qalaj, ka hedhur në votim themelimin e këtij komisioni dhe të gjithë deputetët kanë votuar pro.

Deputeti i vetëm i pushtetit Halil Thaçi, që ishte i pranishëm është shprehur pro konstituimit të këtij komisioni.

“Unë jam për ta konstituar, jam ardhur për këtë punë. Ne e kemi qëndrimin politik që të vazhdojmë punën e komisionit hetimor, ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj çështje”.

Në fillim të mbledhjes deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica Xhelili, ka deklaruar se themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në mbledhjen e të enjtes nuk duhet të votohet pasi që s’ka kuorum të mjaftueshëm.

“Unë ndjej që kjo fazë nuk vlen as që të votohet. Arsyeja është që sikurse ligjet dhe rregulloret e bëjnë të qartë kuorumin e domosdoshëm për këtë komision. Ky kuorum nuk është i domosdoshëm vetëm për konstituim, do të jetë i domosdoshëm edhe për planin e punës e edhe për mbledhje”, tha Kica.

Komisioni hetimor për rezervat shtetërore.

Ajo tutje ka kritikuar nivelin e diskutimit në këtë komision.

“Më duhet të them që unë nuk mund të vijë në këtë nivel të diskutimit. Ky komision hetimor s’është për sedra personale të askujt, nëse dikush e ndjen si të tillë më vjen keq për domosdoshmërinë e juaj për ta ngritur egon”.

Në komision të pranishëm kanë qenë kryetari i Komisionit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i vetmi Halil Thaçi, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku, deputetja Doarsa Kica Xhelili, dhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

Albanian Post kishte raportuar në muajin prill të këtij vitit për problemin me Rezervat Shtetërore dhe keqpërdorimet potenciale që ndodhnin prapa arsyetimit se s’mund të jepeshin informacione meqë ishte sekret shtetëror.

Në artikullin me titull “Rezervat Shtetërore të Kosovës – A po mbulohet keqpërdorimi milionësh me arsyetimin e “sekretit shtetëror”?”, AP kishte nxjerrur në pah faktin se Kosova ka blerë mallra për rezerva shtetërore nga një kompani turke fantom.

Nga Prokuroria Speciale akuzohen dy zyrtarë të MINT drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetrore, Hafiz Gara, Drejtori i Integrimeve Evropiane, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi, afarist.

Organi i Akuzës i ngarkon Garën e Lipovicën se kanë anashkaluar Ligjin e Prokurimit Publik kur kanë kërkuar që malli të blihet pa procedura, por me negocim.

Prokuroria në dosje thotë se buxheti i Kosovës është dëmtuar 600 mijë euro si shkak i mos ardhjes së vajit, sheqerit dhe 52 tonë grurë.

Ekskluzive: Rozeta Hajdarit ia zhvati afër 600 mijë euro mashtruesi polak Tomasz Tokarski

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore