Lajme

Rezervat Shtetërore të Kosovës – A po mbulohet keqpërdorimi milionësh me arsyetimin e “sekretit shtetëror”?


“Ti hala s’ke dhënë përgjigje për rezervat. Miliona euro të janë zhdukur. Mos mendo që kemi harruar. Miliona keni ble, paratë i keni dhënë e mallin kurrë nuk e keni marrë”, i tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ministres së Tregtisë e Industrisë, Rozeta Hajdari, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit.

Hajdari më pas mori fjalën, por s’tha gjë për kritikat e Krasniqit.

Ishte data 23 shkurt, viti 2022, kur Qeveria e Kosovës kishte miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave, për ndarjen e 10 milionë eurove për të blerë produkte të cilat do të ruheshin si Rezerva Shtetërore.

Më pas paratë u alokuan në Ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë. 3 muaj më vonë disa medie në Kosovë raportuan se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka lidhur kontratë për blerjen e grurit nga një kompani turke, por gruri asnjëherë nuk erdhi në Kosovë.

Ministria e demantoi lajmin por asnjëherë nuk ofroi prova për të kundërtën. As tani, një vit më vonë, Ministrja Hajdari nuk ka treguar se çka ndodhi me 10 milionë eurot e rezervave shtetërore, me arsyetimin se informatat rreth kësaj teme janë “sekret shtetëror”.

Kush di për rezervat shtetërore?

Askush, përveç Ministres Rozeta Hajdari.

Ferat Shala, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherit kryetar i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, në një prononcim për Albanian Post, ka thënë se ministrja Rozeta Hajdari nuk i është përgjigjur as pyetjeve të deputetëve rreth 10 milionë eurove dhe blerjes së grurit në Turqi.

“Nuk kemi asnjë informacion rreth rezervave shtetërore, as një institucion në Kosovë nuk di asgjë”, ka thënë Shala.

“Ne kemi pasur këtë shqetësim edhe në Komision Parlamentar, kemi bërë disa herë edhe pyetje, por edhe zyrtarisht në komision nuk kemi marrë asnjëherë përgjigjet e nevojshme dhe të domosdoshme”, vazhdon më tej Shala.

“Ajo çka dihet është që kompania turke pas pak ditësh që është lidhë kontrata ka shpallur falimentimin. Dhe të dhënat e pa konfirmuara zyrtarisht kanë qenë që mjetet janë dhënë dhe rezervat e grurit në Kosovë nuk kanë ardhur”.

Bëhet fjalë për kompaninë turke “Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticare”.

Kompania në fjalë, prej së cilës shteti ka blerë grurë për Rezerva Shtetërore, është kompani që merret me industrinë e ndërtimit dhe me tregti. Kjo kompani është gati fantome edhe në listat e eksportuesve të Turqisë. Në portalin e eksportit të mbështetur nga qeveria turke “turkishexporter.net” kompania nuk figuron askund.

“Kompania turke, në aktivitet ka pasur veprimtarinë ndërtimore në Turqi, asnjëherë nuk ka pasur asnjëherë as një lloj reference që është marrë me tregti apo me logjistikë gruri apo diçka tjetër. Kjo ka qenë baza jonë e parë e dyshimit, si Komision Parlamentar”, sqaron deputeti Shala.

Një pjesë e Rezervave Shtetërore është blerë nga kompani vendore në Kosovë, “por pjesa dërmuese e rezervave të grurit që kanë qenë të kontraktuara nga Turqia, nuk ka të dhëna që kanë hyrë dhe nuk kemi mundur ta verifikojmë e as të marrim informacionin e fundit”, tregon Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri e Tregti.

“Dhe për këtë ministria nuk ka qenë transparente as në seanca parlamentare e as në Komision”, specifikon ai.

Problemi, sipas deputetit Shala ka qenë që ,“dyshojmë që ministria e ka keqpërdorur situatën e krizë ekonomike dhe ka aranzhuar mbi 10 milionë apo rreth 10 milionë euro, mjete të ndara jashtë planifikimit buxhetorë për çështjen e rezervave shtetërore. Rezervat e gurit nuk kanë hyrë në Kosovë asnjëherë, pastaj qeveria për shkak të rrethanave i ka dhënë statusin “sekret” informacionit dhe nuk është përgjigjur asnjëherë”.

Çka thotë ligji për Rezervat Shtetërore?

Ligji për rezervat Shtetërore, neni 9, thotë se “Plani Strategjik dhe programi vjetor si dhe vendndodhja e rezervave shtetërore të mallrave konsiderohen sekret shtetëror”.

Përndryshe, çështja e furnizimit me mallra, e specifikuar në nenin 19 të këtij ligji, nuk është konfidenciale e as sekret shtetëror.

“Departamenti i rezervave shtetërore të mallrave përmes procedurave të prokurimit publik bëjnë furnizimin me mallra të cilat janë paraparë me programin një (1) vjeçar”.

Për më tepër, në nenin 20, “Blerja, shitja dhe huazimi i rezervave shtetërore të mallrave”, thuhet se blerja e çdo artikulli të rezervave shtetërore të mallrave sipas këtij ligji duhet të parashihet në mënyrë specifike në ligjin përkatës vjetor për ndarjet buxhetore. Përveç kësaj, çdo aktivitet i prokurimit për blerjen e këtyre artikujve duhet të bëhet përmes procedurave të hapura të prokurimit të përcaktuara në Ligjin për Prokurim Publik. Nëse kontrata e prokurimit është me vlerë të madhe, njoftimi i kontratës publikohet në pajtim me Ligjin për Prokurim Publik, dhe në gjuhën angleze në një gazetë ose revistë prestigjioze ndërkombëtare.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, vazhdon të mbajë “sekret” çdo aktivitet rreth kësaj çështje, për çka konsiderohet se po bën edhe shkelje të vetë ligjit për Rezervat Shtetërore.

“Ministrja e ka obligim edhe ligjor që së paku niveleve kuvendare, deputetëve të ua sqarojë, por këtë nuk e ka bërë as në komision, as në parlament, se lëre më para medieve”, ka thënë deputeti Ferat Shala në prononcimin për Albanian Post.

“Informacionet tona kanë qenë që çmimi që është kontraktuar ka qenë së paku dyfish më i lartë sesa ai që ka qenë në tregun vendor. Është llogaritur diku rreth 60 euro një ton që është blerë”.

Shala, tregon se është interesuar vetë që të marrë informata për këtë çështje, dhe pasi i ka ndjekur hapat që i kanë kërkuar, prapë nuk është pajisur me informatat e kërkuara.

“Unë si deputet, për të marrë informata për Rezervat Shtetërore është dashur të bëj njëherë kërkesë te Agjencia e Inteligjencës, me marrë përshtatshmërinë, do të thotë, këta e kanë komplikuar qëllimisht dhe baza e dyshimit ka qenë pikërisht për të mbuluar një aferë korruptive, hapur dhe prapë nuk kam marrë informata”, tregon Ferat Shala.

Nga viti 2012, Republika e Kosovës, filloi krijimin e rezervave shtetërore.

Produktet që ruhen si rezerva shtetërore janë agro-ushqimore, grurë, naftë, barna esenciale e disa produkte të tjera, të cilat nuk publikohen pasi që konsiderohen sekret shtetëror.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore