Lajme

Deputetët e AAK-së kerkojnë që SHBA-të t’ia liberalizojnë vizat Kosovës


Flamuri i Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, të martën njoftoi se deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, kanë pritur në takim Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë, ku kanë kërkuar nga amabsadorët që të lobojnë për liberalizimin e vizave me Shtetet e Bashkuara.

“Bashkë me kolegët deputetë nga AAK, kishim kënaqësinë që në ambientet e Kuvendit të Kosovës të presim në takim delegacionin nga Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë. Në takim falënderuam SHBA-në për mbështetjen e tyre në të gjitha etapat duke theksuar se miqësia mes dy vendeve është e përjetshme”, shkroi Tahiri.

Tahiri ka thënë se synimi i Kosovës është anëtarësimi në NATO – Kosova ka kohë që bashkëpunon ngushtë me aleatët euro-atlantikë, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e sigurisë – proces që sipas tij, do të avancojë përspektiven integruese të Kosovës.

“Partneriteti me shtetin e IOWA deri më tani ka qenë një tregim suksesi sa i përket bashkëpunimit në forcimin e kapaciteteve ekzistuese të ushtrisë sonë.Gjithashtu, kërkuam ndihmën e ambasadorëve për lobim në çështjen e liberalizimit të vizave nga SHBA për qytetarët e Kosovës”, shtoi ai.

Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë është shoqatë e ambasadorëve amerikanë me gjithsej 200 anëtarë, të cilët së bashku kanë shërbyer për mbi gjashtë dekada dhe për njëmbëdhjetë presidentë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore