Shqipëria

Denaj i bën thirrje peshkatarëve të Shkodrës të rrisin bashkëpunimin me Bashkinë dhe Qeverinë


Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, gjatë një vizite në Shirokë të Shkodrës, u ka bërë thirrje peshkatarëve për të rritur bashkëpunimin me pushtetin vendor dhe qendror, me qëllim forcimin e ekosistemit natyror dhe kthimin e kësaj pasurie natyrore në një motor gjenerimi të ekonomisë për banorët e zonës.

Sipas ministres, Liqeni i Shkodrës nuk është thjesht gjenerues punësimi, por edhe i turizmit dhe zhvillimit ekonomik.

Në këtë vizitë, Denaj u shoqërua edhe nga kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, si edhe nga drejtuesja socialiste e qarkut, Elisa Spiropali.

“Në vizitën e parë në terren në Shirokë, së bashku me kolegen Spiropali, të mikpritur nga Kryetari i Bashkisë Benet Beci dhe përfaqësuesit e shoqatës së menaxhimit të peshkimit, biseduam mbi të gjitha problematikat që ata kanë”, bën të ditur Denaj përmes një publikimi në media sociale.

Ajo theksoi se peshkatarët, të cilët jetën e tyre e kanë lidhur me peshkimin, nuk shërbejnë vetëm për familjet e tyre, por dhe për numrin e madh të turisteve vendas dhe të huaj, që gjatë këtij viti arritën shifra rekord.

Ministrja bëri të ditura edhe pikat mbi të cilat u diskutua me peshkatarët.

“Gjatë bisedës me ta diskutuam mjaft çështje si gjuetia pa kriter, pamundësia për të krijuar njësi ekonomike për kultivimin e peshkut, si dhe heqja e rrethimeve amatore”, sqaroi ajo.

Në mbyllje, duke e theksuar sërish rëndësinë e bashkëpunimit, ka ftuar peshkatarët të jenë të angazhuar me pushtetin vendor dhe qendror, për të marrë vëmendjen e duhur dhe për ta kthyer liqenin në motor të gjenerimit ekonomik për banorët e zonës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore