Shqipëria

Demokratët padisin Bordin e Transparencës në Kushtetuese


Deputetët e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi dhe Dashnor Sula kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese një padi të paralajmëruar më herët kundër Bordit të Transparencës.

Ky i fundit, do të krijohej gjatë muajit mars nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave për të mos lejuar rritjen e çmimeve në mënyrë jokonsistente.

“Ndjesë qytetarëve që nuk e kemi bërë padinë më shpejt. Në muajin gusht nuk pati asnjë ulje të çmimeve. Këta luajnë dhe tallen me qytetarët shqiptarë. Kosova më shumë para se Shqipëria për qytetarët”, u shpreh fillimisht Sula.

Sipas tij, operatorët abuzojnë duke vjedhur qytetarët dhe ka shumë problematika që Kushtetuesja duhet të shqyrtojë.

Çupi deklaroi nga ana tjetër se padia është bërë në emër të interesit të qytetarëve dhe të interesit publik.

“28 deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për shfuqizimin e Bordeve të caktimit të çmimeve. Është fakt tashmë që prej muajsh qytetarët shqiptarë janë përballur me abuzimet e çmimeve”, vijoi ajo.

Për deputeten demokrate bordi u ngrit për të mbajtur në kontroll çmimin, por u shndërrua shumë shpejt “në Klubin e Oligarkëve, ku vetë oligarkët e naftës në përbërje të Bordit caktonin edhe çmimin”.

“Ngritja e Bordit po dëmton interesin e qytetarëve. Ligjet bien ndesh me Kushtetutën, cënojnë lirinë ekonomike, cënojnë konkurencën në treg, thellojnë më shumë varfërinë tek qytetarët, vjedhin edhe më shumë qytetarët”, theksoi Çupi.

Kësisoj, 28 deputetët demokratë i kërkuan Gjykatës Kushtetutese shfuqizimin e këtyre ligjeve.

Bordet e ngritura pas muajit mars në Shqipëri funksionojnë për dy kategori.

Parësori është për çmimin e karburanteve në treg. Ato vendosin me sa do të shiten hidrokarburet me shumicë dhe me pakicë.

Kategoria tjetër është ajo e ushqimeve të shportës. Ky bord u krijua, pasi u vu re një rritje eksponenciale dhe e pajustifikuar e disa kategorive ushqimore, që pas luftës në Ukrainë.

Të dy autoritetet kanë funksion vendimmarrës rregullator për tregun dhe shkelja e vendimeve të bordit ndëshkohet me gjobë.

Instrumenti i bordit të produkteve të shportës nuk do lejojë rritjen e çmimeve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore