Shqipëria

Instrumenti i bordit të produkteve të shportës nuk do lejojë rritjen e çmimeve


Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, deklaroi se bordi i monitorimit dhe transparencës së çmimeve të produkteve të shportës do kryejë funksionin e tij përmes instrumentit përkatës.

Gjatë 18 marsit është zhvilluar mbledhja e parë e bordit të monitorimit dhe transparencës së çmimeve të produkteve të shportës.

Zyrtarja shqiptare sqaroi se nesër do të bëhet përcaktimi i instrumentit.

“Kjo është një situatë e pazakontë, ku nuk do donim të ndërhynim”, u shpreh fillimisht Ibrahimaj.

Sipas saj, lufta krijon pasiguri dhe e panjohura drejt së ardhmes krijon pasiguri.

“Këto çmime”, shtoi ministrja, “jo në të gjitha rastet flasin dhe tregojnë për rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare”.

Ibrahimaj garantoi se bordi do përcaktojë instrumentin dhe kjo e fundit nuk do lejojë që çmimet të rriten në mënyrë jokonsistente me çmimet e importit.

Ministrja do të deklaronte më herët se ka pasur abuzim në pika të caktuara me produkte të markave të caktuara.

Ajo shtoi se nuk ka pasur abuzim masiv. Nga importuesi te supermarketi, shpjegoi ministrja, ka katër hallka të ndryshme.

“Abuzimi mund të ndodhë në secilën prej këtyre hallkave, mund të ketë ndodhur edhe më parë”, sqaroi Ibrahimaj.

Në vijm, zyrtarja ravijëzoi se ka pasur produkte që janë rritur më shumë, ka pasur produkte që janë rritur më pak.

Abuzimi, sipas saj, do shihet tani që është ngritur bordi dhe do të vendosen çmimet.

“Do të shohim hallkat me kujdes dhe do shohim kush ka qenë realisht abuzim”, përmbylli Delina Ibrahimaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore