Lajme

Demokratët në SHBA shtojnë përpjekjet për abortin, teksa betejat ligjore afrohen


Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ligjvënësit demokratë po shtojnë përpjekjet për të krijuar “vende të shenjta” për të drejtat riprodhuese.

Përpjekjet e tyre vijnë në përgjigje të vendimit të Gjykatës Supreme që i dha fund gati gjysmë shekulli mbrojtje ligjore federale për abortin.

Përmbysja e vendimit “Roe vs Wade” shkaktoi ndalime të abortit në 13 shtete republikane, me 13 të tjera që pritet të kalojnë ndalimet e tyre në javët e ardhshme.

Megjithatë, ligjvënësit që mbrojnë të drejtën e gruas për të zgjedhur janë përgatitur për vendimin e Gjykatës Supreme.

Ata kanë propozuar ose miratuar legjislacion për të kodifikuar të drejtat e abortit dhe mbrojtjen ligjore në shtetet e drejtuara nga demokratët e Amerikës.

Lëvizjet i shtohen një sërë rregullash gjithnjë e më komplekse të abortit në të gjithë SHBA-të bazuar te linjat partiake, duke u hapur derën grindjeve ligjore midis shteteve dhe qeverisë federale.

“Mund të parashikoj përplasje të mëdha midis qeverisë federale dhe shteteve”, ka thënë avokati Neal Katyal.

Ai ka përmendur një proces gjyqësor të mundshëm nëse shtetet kundër abortit mund të kriminalizojnë këdo që ndihmon një grua të ndërpresë shtatzëninë në një juridiksion tjetër.

“Kjo do të ishte një shkelje e qartë, por do të kërkojë procese gjyqësore dhe çështje të çrregullta gjyqësore”, ka treguar ai.

Po ashtu disa ligjvënës republikanë të shtetit po shqyrtojnë shtrëngimin e ofruesve të telemjekësisë jashtë shtetit për t’i parandaluar ata të ofrojnë këshilla dhe ilaçe për abortin për qytetarët e tyre.

Rrëzimi i vendimit “do të shkaktojë një sasi të paparë pasigurie dhe do t’i vendosë shtetet në beteja ligjore me njëri-tjetrin, në një mënyrë që është e ngjashme me ditët më të errëta në historinë e vendit tonë”, ka thënë eksperti ligjor, Matthew Blumenthal.

Ai u është referuar ligjeve të skllevërve të arratisur, ku shtetet jugore luftuan shtetet veriore për të kthyer ata që i kishin shpëtuar skllavërisë.

Si përgjigje, shtetet veriore miratuan “ligjet e lirisë” për të shmangur ekstradimin.

“Ky nuk është vendi që prisja të ishim. Ideja që ne po i miratojmë këto ligje është tronditëse, por ato janë thjesht mbrojtëse”, ka shtuar Blumenthal.

Sakaq, shumë shtete kanë marrë masa që nga fillimi i majit, kur një draft i vendimit të gjykatës u zbulua në faqen e lajmeve “Politico”.

Në qytete si Washington-i. Chicago dhe Seattle, legjislacioni i ngjashëm po kalon rrugën e tij nëpër legjislaturat shtetërore.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, ka nënshkruar një projektligj të krijuar për të mbrojtur pacientët dhe ofruesit lokalë të kujdesit shëndetësor nga paditë civile bazuar në ligjet e shteteve të tjera.

Ai u bashkua me guvernatorët e shtetit të Oregon-it dhe Washington-it në nënshkrimin e një angazhimi për të mbrojtur të drejtat e abortit në të gjithë Bregun Perëndimor.

Sipas angazhimit, të tre shtetet nuk do të respektojnë hetimet ose arrestimet jashtë shtetit bazuar në ligjet e jashtme të abortit dhe refuzojnë ekstradimin e atyre që kanë udhëtuar në shtete për shërbime ligjore të kujdesit shëndetësor riprodhues.

Po ashtu shtetet janë zotuar të zgjerojnë aksesin në mjekimin e abortit dhe teleshëndetin për shërbimet riprodhuese.

Çfarë është Roe v Wade?

Vendimi i gjykatës në vitin 1973 u bazua në vendimin që, e drejta e një gruaje për të ndërprerë shtatzëninë vinte nën lirinë e zgjedhjes personale në çështjet familjare, siç mbrohet nga Amendamenti i 14-të i Kushtetutës së SHBA-ve.

Guvernatori i New York-ut, Andrew Cuomo, majtas, bisedon me avokaten Sarah Weddington, e cila debatoi Roe vs Wade, pas një konference shtypi në Dhomën e Kuqe në Capitol të martën, 4 qershor 2013.

Vendimi erdhi pasi një grua beqare 25-vjeçare, Norma McCorvey – me pseudonimin “Jane Roe” – sfidoi ligjet penale të abortit në Texas që e ndalonin abortin si jokushtetues, përveç në rastet kur jeta e nënës ishte në rrezik.

Henry Wade ishte prokurori i përgjithshëm i Texas-it që mbrojti ligjin kundër abortit.

Zonja McCorvey e ngriti rastin për herë të parë në vitin 1969. Ajo ishte shtatzënë me fëmijën e saj të tretë dhe pretendoi se ishte përdhunuar. Por çështja u refuzua dhe ajo u detyrua të lindte.

Megjithatë, në vitin 1973, ankesa e saj u dërgua në Gjykatën e Lartë të SHBA-ve, ku ajo u përfaqësua nga Sarah Weddington dhe Linda Coffee, një ish-shoqe klase e Weddington-it nga Universiteti i Texas-it.

Kur Weddington argumentoi çështjen para Gjykatës së Lartë, ajo ishte vetëm 26 vjeç.

Zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Walter Mondale, dhe të tjerë shikojnë fletën e numërimit për të zgjatur afatin kohor për ratifikimin e Amendamentit për të Drejtat e Barabarta (ERA), në Washington, 6 tetor 1978.
Si i ndryshoi çështja të drejtat e grave?

Rasti krijoi sistemin “tremujor” që u jep grave amerikane të drejtën absolute për abort në tre muajt e parë të shtatzënisë.

Po ashtu, lejon disa rregullime nga qeveria në tremujorin e dytë të shtatzënisë. Si dhe deklaron se shtetet mund të kufizojnë ose ndalojnë abortet në tremujorin e fundit, pasi fetusi i afrohet pikës ku mund të jetojë jashtë mitrës.

“Roe v Wade” konstatoi gjithashtu se në tremujorin e fundit një grua mund të bëjë një abort, pavarësisht çdo ndalimi ligjor vetëm nëse mjekët vërtetojnë se është e nevojshme për të shpëtuar jetën ose shëndetin e saj.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore