Lajme

Demenca e hershme te të rinjtë: Cilët janë faktorët e rrezikut?


Megjithëse demenca është shumë më e zakonshme te të moshuarit, çdo vit qindra mijëra njerëz diagnostikohen me demencë nën moshën 65 vjeç.

Rasti më i ri i Alzheimerit i regjistruar ndonjëherë ka qenë një djalë 19 vjeç.

Por pse ndodh kjo?

Shumica e kërkimeve kanë shqyrtuar gjenetikën e transmetuar brez pas brezi për një përgjigje, por në një studim të ri të botuar në Jama Neurology, studiuesit kanë identifikuar 15 faktorë mjedisorë ose të stilit të jetesës që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në shfaqjen e këtyre simptomave.

Ndaj, nuk është vetëm gjenetika ajo që ka rëndësi, por një sërë faktorësh predispozues që janë kryesisht të modifikueshëm do të hyjnë në lojë.

“Gjëja më interesante është se për herë të parë ne mund të jemi në gjendje të veprojmë për të zvogëluar rrezikun e vuajtjes nga kjo gjendje dobësuese duke synuar faktorët që kemi identifikuar”, ka thënë epidemiologu David Llewellyn.

Në nivel global, çdo vit ka rreth 370 mijë raste të reja të demencës së re.

Në përgjithësi, një person më i ri ka më shumë gjasa të përjetojë një formë më të rrallë të demencës.

Te të rinjtë, humbja e kujtesës nuk është shumë shpesh simptoma e parë. Në fakt, ka më shumë gjasa të shkaktojë probleme me lëvizjen, ecjen, koordinimin ose ekuilibrin.

Ndërkohë, shumë të rinj me demencë nuk kanë sëmundje të tjera serioze ose kronike.

Gjenetika është përgjegjëse për rreth 10 për qind të demencës së të miturve, por autorët e punimit donin të hetonin faktorët jo gjenetikë.

Ekipi hulumtues analizoi të dhënat e mbledhura për 356 mijë e 52 njerëz nën moshën 65 vjeç në Mbretëri të Bashkuar.

Faktorët që u shoqëruan me një rrezik më të lartë rezultuan të ishin:

1-Statusi i ulët socio-ekonomik.

2-Izolimi social.

3-Çrregullimet e dëgjimit.

4-Goditja në tru.

5-Diabeti.

6-Sëmundjet e zemrës.

7-Depresioni.

8-Mungesa e vitaminës D.

9-Nivele të larta të proteinës C-reaktive (e prodhuar nga mëlçia në përgjigje të inflamacion).

10-Prania e dy varianteve të gjenit ApoE4 ε4.

11-Abuzimi me alkoolin (konsumimi i moderuar lidhet me një rrezik të reduktuar, ndoshta sepse njerëzit që i përkasin këtij grupi janë përgjithësisht më të shëndetshëm).

12-Çrregullime që vijnë nga përdorimi i alkoolit,

12-Nivele të ulëta arsimore.

13-Dobësi më e madhe (e matur me forcën e kapjes së dorës).

14-Hipotension ortostatik (rënie e tepërt e presionit të gjakut kur merr një pozicion vertikal).

“Ne e dinim tashmë nga kërkimet mbi njerëzit që zhvillojnë demencë në jetën e mëvonshme se ka një numër faktorësh rreziku të modifikueshëm”, ka thënë neuroepidemiologu Sebastian Köhler.

Përveç faktorëve fizikë, një rol të rëndësishëm luan edhe shëndeti mendor, duke përfshirë parandalimin e stresit kronik, vetmisë dhe depresionit.

Kuptimi i këtyre faktorëve ndihmon në krijimin e një tabloje më të detajuar.

Njohja e më shumë shkaqeve mund të ndihmojë në zhvillimin e trajtimeve më të mira dhe masave parandaluese.

Duke bërë një jetë më të shëndetshme, ju mund të zvogëloni rrezikun e demencës.

Shumë nga këta faktorë janë të modifikueshëm, gjë që ofron më shumë shpresë për ata që punojnë për të gjetur mënyra për të mposhtur demencën sesa thjesht ta menaxhojnë atë.

“Demenca e hershme ka një ndikim shumë serioz, sepse ata që preken zakonisht kanë ende punë, fëmijë dhe një jetë të mbushur me angazhime”, ka thënë neuroshkencëtari Stevie Hendriks.

“Shkaku shpesh supozohet të jetë gjenetik, por për shumë njerëz ne në fakt nuk e dimë saktësisht se çfarë është. Kjo është arsyeja pse me këtë studim kemi dashur të hetojmë edhe faktorë të tjerë rreziku në këtë studim”.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore