Lajme

DASh: Serbia të bashkëpunojë me OSBE-në për hetimin e parregullsive zgjedhore


Departamenti amerikan i Shtetit u ka bërë thirrje autoriteteve në Serbi që të bashkëpunojnë me misionin e OSBE-së në hetimin e pretendimeve për parregullsi zgjedhore, një ditë pas protestës së dhunshme në Beograd ku më shumë se 30 demonstrues janë arrestuar gjatë protestës së koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës” në kryeqytetin serb.

“Ne jemi të fokusuar, në bashkëpunimin me Serbinë, për forcimin e qeverisë demokratike dhe sundimin e ligjit, përmirësimin e bashkëpunimit rajonal, vazhdimin e rritjes ekonomike dhe përshpejtimin e përparimit të Serbisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. E ardhmja e Serbisë qëndron në Perëndim”, thuhet në përgjigjen e DASh-it për Zërin e Amerikës.

Po ashtu në përgjigje theksohet se konstatimet shqetësuese të Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) se zgjedhjet u dëmtuan nga gabime të shumta procedurale, presion ndaj zyrtarëve publikë dhe abuzim me burimet publike.

“Shtetet e Bashkuara i kërkojnë Serbisë që të punojë ngushtë me OSBE-në për t’i adresuar këto shqetësime”, derisa DASh ka kërkuar që pretendimet për parregullsi, të raportuara nga ODIHR-ja dhe ekipe të tjera vëzhguese të zgjedhjeve, duhet të hetohen.

Një protestë e opozitës së bashkuar rreth koalicionit “Serbia kundër dhunës” është zhvilluar të dielën para ndërtesës së Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (RIK) në kryeqytetin serb.

Qindra protestues kanë tentuar të futen brenda Asamblesë Komunale të Beogradit, duke thyer xhamat e dyerve dhe dritareve në shenjë revolte, duke nxitur reagimin e autoriteteve.

Policia e Serbisë, sipas raportimit të mediave në terren, ka hedhur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve, ndërsa janë arrestuar mbi 35 protestues e janë lënduar disa të tjerë, kërkesa e të cilëve është anulimi i zgjedhjeve dhe shpallja e një cikli të ri zgjedhor për shkak të parregullsive të raportuara gjatë procesit të votimit, veçanërisht në kryeqytetin serb.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore