Sport

“Dardanët” të etur për tre pikë në përballjen ndaj Greqisë


Në ora 20:45, Kosova do përballet me Greqinë për kualifikimet e Kupës së Botës “Qatar 2022” në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Kosova vije nga një fitore ndaj Gjeorgjisë, dhe po kërkon pikët maksimale në këtë takim për të iu afruar pozitës së dytë.

Kosova ka luajtur tre ndeshje në kualifikimet e Botërorit, ku ka fituar vetëm një ndeshje dhe ka humbur dy të tjera përballë Suedisë dhe Spanjës.

Dardanët radhiten të tretët me tre pikë, ndërsa Greqia e katërta me dy pikë.

Momentalisht, grupit B i prijnë Suedia me 9 pikë dhe Spanja me 7, por Kosova ka një ndeshje më pak se dy të parat.

Një lajm i rëndësishëm për “dardanët” është kthimi i Milot Rashicës, i cili mungoi në duelin përballë Gjeorgjisë.

Në këtë ndeshje përballë Greqisë, Kosova do ketë pothuajse të gjithë lojtarët në dispozicion, të cilët do synojnë për një fitore tejet të rëndësishme.

Dy duelet e fundit mes Kosovës dhe Greqisë u luajtën në vitin 2020 në UEFA Nations League, ku njëra ndeshje përfundoi me rezultat 1:2 në favor të grekëve, ndërsa ndeshja tjetër përfundoi pa gola.

Në anën tjetër, Greqia ka barazuar dy ndeshjet për kualifikimet e Botërorit, përballë Spanjës dhe Gjeorgjisë.

Në momentet që kombëtares kosovare i duhet e gjithë mbështetja, kjo nuk do jetë mundur.

Në “Fadil Vokrri”, do të lejohen vetëm 10 për qind e kapacitetit të stadiumit, për shkak të masave të reja të COVID-19.

Pas duelit me Greqinë, Kosova në “Fadil Vokrri” do të jetë nikoqire e Spanjës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore