Lajme

Danimarka pritet të ndalojë shitjen e cigareve për këdo që ka lindur pas vitit 2010


Danimarka ka zbuluar planet e saj për të siguruar që brezat e ardhshëm të jetojnë pa duhan, ndërsa u bë e ditur se ky shtet po shqyrton ndalimin e shitjes së cigareve dhe produkteve të tjera të nikotinës për këdo që ka lindur pas vitit 2010.

“Shpresa jonë është që të gjithë njerëzit e lindur në vitin 2010 dhe më vonë nuk do të fillojnë kurrë të pinë duhan ose të përdorin produkte me bazë nikotine”, u tha gazetarëve ministri i shëndetësisë Magnus Heunicke.

Magnus Heunicke.

“Nëse është e nevojshme, ne jemi gati të ndalojmë shitjen të këtyre produkteve për këtë gjeneratë duke rritur në mënyrë progresive kufirin e moshës”, ka shtuar ai.

Aktualisht, danezët duhet të jenë 18 vjeç për të blerë cigare dhe sipas ministrisë së shëndetësisë, rreth 31% e moshave 15 deri në 29 vjeç pinë duhan.

Pirja e duhanit është shkaku kryesor i kancerit në vendin nordik me 5.8 milionë banorë dhe përgjegjës për 13 mijë e 600 vdekje në vit.

Një sondazh nga Shoqata Daneze e Kancerit tregoi se 64% e njerëzve të anketuar ishin në favor të planit të qeverisë daneze dhe 67% midis të anketuarve i takonin moshës 18-34 vjeç.

Kujtojmë se edhe në dhjetorin që lamë pas, Zelanda e Re njoftoi një plan pionier për të ndaluar shitjen e duhanit duke rritur në mënyrë progresive kufirin e moshës që nga viti 2027.

Masa të tjera përfshinin uljen e sasisë së ligjshme të nikotinës në produktet e duhanit në nivele shumë të ulëta, zvogëlimin e dyqaneve ku cigaret mund të ishin duke u shitur ligjërisht dhe rritjen e financimit për shërbimet e varësisë.

Në Danimarkë, qeveria socialdemokrate ka njoftuar se po planifikon gjithashtu të trajtojë konsumin e alkoolit nga të rinjtë. Vendi do të rrisë moshën ligjore për blerjet e pijeve që përmbajnë më pak se 16,5% alkool nga 16 sa është aktualisht, në 18 vjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore