Shqipëria

Dalin pamjet, si u gjetën 430 kg kokainë mes thasëve me pleh?


Policia e Shtetit ka publikuar pamjet e operacionit antidrogë të koduar “Konsistenca”, i zhvilluar nga Policia e Shtetit, nën drejtimin e SPAK, dhe në bashkëpunim me Policinë malazeze dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese.

Strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë përfunduar me sukses dhe në një konspiracion të plotë, hetimet në kuadër të një procedimi penal, për një grup të strukturuar kriminal në fushën e trafikimit të drogave të forta (kokainë).

Deri më tani kanë ekzekutuar, për 10 shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Gjithashtu, strukturat e Policisë kanë kryer kontrollin e 14 ambienteve, në qytete të ndryshme (Tiranë, Lushnjë dhe Fier).

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku nëpërmjet një mesazhi, ka falënderuar të gjithë trupën policore të angazhuar për finalizimin me sukses të këtij megaoperacioni.

“Ky megaoperacion tregoi integritetin dhe profesionalizmin e strukturave policore, në luftën pa kompromis ndaj fenomeneve kriminale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore