Kosova

Daçiç: Lajçaku më ka thënë se “do të jetë i vështirë vazhdimi i dialogut”


Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç dhe ndërmjetësuesi i negociatave Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak

Sipas kryeparlamentarit të Serbisë, Ivica Daçiç, po që se edhe takimet tjera në Bruksel vazhdojnë në klimën e njëjtë si këto dy të parat mes Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it, atëherë dialogu mes Kosovës e Serbisë ka gjasë të ndërpritet.

Madje, Daçiç, duke folur për mediumin e afërt me qeverinë serbe, TV Happy, tha se diçka të tillë ia ka kumtuar ndërmjetësuesi i dialogut nga Bashkimi Evropian, Miroslav Lajçak.

Daçiç, shtoi se Lajçak i ka thënë që u “bë shumë pak progres në takimin e dyte në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi”.

Gjithashtu, se “do të jetë i vështirë vazhdimi i dialogut nëse s’ka rezultate të prekshme”.

Më pas politikani serb ka vazhduar me deklarimet standarde të institucioneve serbe se Serbia nuk do ta njohë Kosovën shtet asnjëherë.

“Delegacioni i Serbisë në dialogun e Brukselit do të mbrojë gjithmonë interesat e shtetit dhe nuk do të kalojë vijën e kuqe”.

Takimi i dytë, ai i së hënës, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel, ka përfunduar pa ndonjë rezultat.

Kurti pas takimit tha se i kishte propozuar Vuçiç-it një marrëveshje të paqes, por u refuzua pa u lexuar.  Ndërkaq Vuçiç theksoi se dakordimi mes dy palëve ka qenë i pamundur të hënën.

“Unë sot propozova fillimisht një marrëveshje të shkruar me gjashtë nene, si një deklaratë e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë. Atë që kisha kërkuar herën e kaluar, që të kemi një deklaratë të paqes, e kam përgatitur në mënyrë të balancuar me një tekst me 6 nene, por u refuzua ende pa u lexuar”, tha Kurti.https://albanianpost.com/dialogu-i-dyte-serish-pa-dialog/

Pas takimit Vuçiç ka thënë nga ana tjetër se dakordimi mes dy palëve ka qenë i pamundur.

Duke iu referuar kryeministrit Kurti, ai shtoi se ky i fundit e ka akuzuar Serbinë për tri gjenocide ndaj shqiptarëve.

“Ishin tri pika: Të intensifikojmë përpjekjet e përbashkëta për identifikimin e personave të zhdukur, të përmbahemi nga gjërat që mund të eskalojnë situatën dhe që dialoguesit të takohen rregullisht. Qëndrimi i tyre ishte se Serbia është fajtore për tri gjenocide ndaj shqiptarëve në Kosovë. Gjithçka po sillet rreth shtyrjes së Serbisë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës”, ka thënë presidenti serb, raporton B92.

Po ashtu, Vuçiç ka akuzuar kryeministrin Kurti se, gjatë gjithë kohës “ka insistuar për gjëra që nuk kishte pajtimin e Serbisë dhe Bashkimit Evropian”.

“Herën e fundit që ishim në Bruksel, mendova se ishte e pamundur të bëhej një takim më i keq, sot u binda se është e mundur”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore