Lajme

Daçiç: Çekia s’do ta vendos në procedurë kërkesën e Kosovës


Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, pretendon se sipas informacioneve që ka, Republika Çeke nuk do ta vendos në procedurë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në fund të presidencës së saj, por vetëm do t’i informojë anëtarët për pranimin e aplikimit nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Çekia e ka pranuar aplikacionin dhe sipas njoftimeve siç janë gjërat sot, në seancën që duhet të mbahet këtë javë, vetëm do të informojnë se e kanë pranuar aplikacionin dhe nuk do ta vendosin më në procedurë”, tha Daçiç në një deklarim para gazetarëve pas takimit me homologun e tij grek Nikolas Dandias.

Ai shtoi se me këtë çështje do të merret Suedia, e cila do ta marrë këtë rol nga viti 2023.

“Në fund të ditës, duhet të merret një vendim për këtë me konsensus, gjë që nuk do të ndodh për momentin, sepse janë pesë vende, përfshirë Greqinë që nuk e kanë njohur Kosovën dhe duke pasur parasysh qëndrimin e Hungarisë, e cila edhe pse e ka njohur Kosovën, nuk e voton Kosovën në forumet ndërkombëtare”, shtoi ai.

Ai ka theksuar se Dandias i ka thënë se qëndrimet e tij për çështjen e Kosovës do të mbeten parimore, që do të thotë se “Greqia nuk do ta njohë Kosovën”.

Kryediplomati serb ka paralajmëruar se së shpejti do bëhen publike emrat e shteteve që sipas tij, “e kanë tërhequr njohjen e Kosovës”.

“Ajo që është e sigurt është se janë 27 shtete që kanë tërhequr njohjen e Kosovës. Për 18 shtete dihet kush janë, për nëntë shtete do të shohim se kur do të merret vendimi për të shpallur se cilat shtete janë”, thotë Daçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore