Kosova

Daçiç, ambasadorit izraelit: “Shprehim keqardhje që e keni njohur Kosovën”


Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, është takuar me ambasadorin e Izraelit në Beograd, Jahela Vilan, ku i ka shprehur “keqardhje” që Izraeli e ka njohur pavarësinë e Kosovës, dhe shtoi se “kjo ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet dypalëshe”.

“Daçiç shprehu keqardhjen për vendimin e Izraelit për të njohur pavarësinë e Kosovës, e cila pati një ndikim negativ në marrëdhëniet dypalëshe, por ai theksoi se pavarësisht kësaj, duhet të kërkohen interesa të përbashkëta, para së gjithash për të mirën e dy popuj”, njofton MPJ e Serbisë.

Ndryshe, Kosova dhe Izraeli kishin vendosur marrëdhënie diplomatike pas nënshkrimit të marrëveshjes së Uashingtonit në mes të Kosovës dhe Serbisë në prezencë të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, më katër shtator të vitit të kaluar.

Marrëveshja me anë të së cilës Izraeli e njohu Kosovën u nënshkrua nga ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe ish-ministri i Jashtëm i Izraelit, Gabriel Ashkenazi.

Në ceremoninë virtuale të nënshkrimit më dy shkurt të këtij viti morën pjesë edhe ish-nënsekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer dhe ambasadorët amerikanë në Prishtinë dhe në Jerusalem.

Ish-ministri i Jashtëm i Izraelit Gabriel Ashkenazi, vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën e kishte cilësuar si një datë historike

“Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit është një hap i rëndësishëm, historik dhe emocionues, kishte thënë Ashkenazi.

Në këtë linjë ishte shprehur edhe ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila kishte potencuar se “Kosova ka pritur gjatë arritjen e kësaj marrëveshjeje, e cila e bën Izraelin shtetin e 117 që e njeh Kosovën”.

Ines Demiri është e ngarkuara e Kosovës me punë në Izrael gjersa Kosova ende nuk e ka emëruar një ambasador në shtetin izraelit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore